Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, sonte në tubimin elektoral të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Bogovinë, ka ngritur si shqetësim dhe e dënoi me ashpërsi donacionin nga Serbia që ka pranuar komuna e Tetovës me në krye Bilall Kasamin, njofton TS.
Duke folur para qytetarëve, Taravari shprehu shqetësim të thellë për një zhvillim të fundit në komunën e Tetovës, ku – sipas tij – një kompani serbe ka dhuruar 800 mijë euro për ndërtimin e një kishe dhe varrezash, pikërisht në tokë komunale shqiptare.
“A keni dëgjuar ndonjëherë, në këto 35 vite të Maqedonisë së pavarur, që një kompani serbe të dhurojë 800 mijë euro në një komunë shqiptare? Nëse po, më tregoni cilën komunë. Pse pikërisht është zgjedhur Tetova?”, u shpreh Taravari.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për ndonjë temë lokale të zakonshme, por për një çështje me përmasa politike, historike dhe simbolike, që nuk duhet të kalojë pa përgjegjësi.
“Nuk është e rastësishme kjo. Deputeti nga Kisella Voda është filozof, dhe kjo s’është vetëm një ndihmë për ndërtimin e një kishe. Këtu kemi të bëjmë me një mesazh të qartë politik që po fshihet pas një ‘donacioni’,” shtoi Taravari.
Ai kujtoi se kishte reaguar edhe më herët, duke vendosur një transparent publik, ku thuhej se “ato 800 mijë euro nuk janë për shkollë, por për kishë dhe varreza”.
Taravari theksoi se Bogovina është e lidhur fort me Tetovën, dhe kjo situatë nuk mund të mos i shqetësojë të gjithë qytetarët shqiptarë të rajonit.
“A nuk është kjo paradoksale? Të ndërtohet një kishë në tokë komunale shqiptare me para të një kompanie serbe? Dhe pastaj thonë: ‘Nuk e fituam vetë këtë tokë, por na e fitoi VMRO-ja’. Kjo është e turpshme. Kjo është provokim,” përfundoi Taravari./TS