Athina zyrtare ka dërguar një notë proteste të fuqishme ndaj ambasadorit të Izraelit në Greqi për kërcënimet e Tel Avivit pas ndërhyrjes së ushtrisë izraelite ndaj flotiljes ndërkombëtare të solidaritetit “Global Sumud Flotilla”, që kishte destinacionin Gazën.
Me urdhër të Ministrit të Jashtëm, Georgios Gerapetritis, pasditen e së premtes përveç demarsheve verbale që ishin zhvilluar më herët, është dërguar edhe kjo notë pas deklaratave të ministrit izraelit të Sigurisë që kërkoi burgosjen e aktivistëve ,mes tyre 27 qytetarë grekë, prej të cilëve një deputete e Parlamentit si dhe dy gazetarë nga Selaniku.
Forcat israelite ndaluan mbi 40 anije dhe arrestuan rreth 400 aktivistë të Flotiljes Global Sumud, iniciativës humanitare ndërkombëtare për të dërguar ndihma në Gaza . Një delegacion i Ambasadës Greke në Tel Aviv vizitoi të ndaluarit në qendrën e paraburgimit për t’u ofruar ndihmën e nevojshme. Zyrtarisht konfirmohet se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, ndërsa autoritetet greke po përpiqen për riatdhesimin e shpejtë të tyre.
Ngjarja ka shkaktuar reagime politike të forta nga partitë e opozitës. PASOK, SYRIZA, Nisma “Lundrimi I Lirisë” dhe “E Majta e Re” nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke e cilësuar ndërhyrjen izraelite si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të 27 qytetarëve.
Ndërkohë, në Athinë djeu zhvillua një protestë e re para Ministrisë së Jashtme, në shenjë solidariteti me Gazën dhe të ndaluarit e flotiljes. ku morën pjesë përfaqësues të shoqatave paqësore, sindikalistë, studentë dhe aktivistë të organizatave ndërkombëtare si “March to Gaza” dhe “Stop the War”.Pavarësisht tensioneve diplomatike dhe protestave në rrugë, mesazhi i përbashkët nga opozita dhe shoqëria civile është i qartë: lirimi dhe kthimi i menjëhershëm i shtetasve grekë në atdhe.