Në vazhdën e tubimit madhështor të Aleancës Kombëtare për Integrim në Tetovë, sonte u shqua edhe fjalimi i bartësit të listës për Këshillin Komunal të Tetovës, Asaf Asani, i cili dha një mesazh të fuqishëm për mobilizim dhe bashkim qytetar kundër padrejtësisë dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit kombëtar.

“Sonte jemi këtu për të dëshmuar forcën e popullit kundër padrejtësisë, dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit tonë kombëtar,” tha Asani para qytetarëve të pranishëm, njofton TS.

Ai theksoi se gjatë gjithë takimeve me qytetarët e Tetovës, është vërejtur një frymë e qartë për ndryshim dhe për rikthim të shpresës në institucionet lokale.

“Në çdo lagje, në çdo takim, kemi ndier zërin e qytetarëve që kërkojnë ndryshim të domosdoshëm. Dhe këtë ndryshim mund ta sjellim vetëm me mbështetjen tuaj. Ju jeni garancia” u shpreh ai.

Asani përmbylli fjalimin me thirrjen që më 19 tetor, qytetarët të bashkohen rreth një vizioni të përbashkët:

“Më 19 tetor, së bashku ta kthejmë dinjitetin e popullit tonë. Është koha për një Tetovë të re, me vlera, drejtësi dhe përfaqësim të denjë.”, theksoi Asani./TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com