Babai i kandidatit për TS: Biri im, puno për të mirën e të gjithëve dhe për Dollnenin, por kurrë mos e tradhto kombin! (VIDEO)

Në një intervistë të sinqertë dhe emocionuese nga Çërnilishta për TS, babai i kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Dollnenit, Flamur Gjoleka, ka shprehur mbështetjen e pakushtëzuar për të birin, duke theksuar se ai ka ardhur nga mërgata jo për përfitime personale, por për të kontribuar për të mirën e përbashkët.
“Unë kam ardhur nga mërgata dhe, si baba i Flamurit, mendoj që ai do të arrijë shumë për popullin tonë. Pa marrë parasysh nëse janë shqiptarë, boshnjakë apo maqedonas — të gjithë jemi një familje dhe nuk duhet të jemi kundër njëri-tjetrit”, u shpreh ai për TS.
Ai vuri në dukje se Flamuri është një njeri që nuk ka fjalë të këqija për askënd dhe nuk krijon përçarje.
“Flamuri është një biznesmen i suksesshëm, i cili mund të sjellë zhvillim të vërtetë në komunën tonë. Ai nuk ka ardhur për rrogë, por e ka shpallur publikisht se rrogën e katër viteve si kryetar do ta përdorë për bursa për studentët ekselentë, pa dallim etnie,” theksoi ai.
Në përmbyllje, babai i kandidatit të AKI-së tha me bindje se Flamur Gjoleka do të jetë kryetari i ardhshëm i Dollnenit.
“Djali im është këtu për të gjithë. Premtimi i tij është i qartë, jo për vete, por për të gjithë.”, theksoi për TS, babai i Flamurit./TS