Bajram Rexhepi “bombardon” Tetovën me projektin gjigand – Kazerma me 195.000 metra katror do të bëhet super park dhe me një qendër moderne administrative! (VIDEO)

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka prezantuar sot një nga projektet më ambicioze të fushatës së tij, që synon transformimin e Kazermës së Qytetit në një hapësirë moderne dhe funksionale për qytetarët.
Sipas projektit të bërë publik, zona e kazermës do të shndërrohet në një park të madh qyteti me sipërfaqe prej 150.000 metrash katrorë dhe një qendër administrative prej 45.000 metrash katrorë, ku do të vendosen të gjitha institucionet dhe shërbimet publike, njofton TS.
Në fjalën e tij, Rexhepi tha se ky projekt është një hap drejt një Tetove më të gjelbër, më të organizuar dhe me më shumë rend urban.
Ai theksoi se përqendrimi i shërbimeve në një vend të vetëm do të ulë trafikun në qytet, do të rrisë efikasitetin e administratës dhe do t’u ofrojë qytetarëve qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbime.
Sipas tij, parku i planifikuar do të jetë një zonë relaksi dhe rekreacioni për familjet, të rinjtë dhe të moshuarit, duke sjellë më shumë cilësi jete dhe ajër të pastër për qytetin.
“Ky është një projekt që i jep Tetovës frymëmarrje të re dhe hapësira që mungojnë prej vitesh. Me këtë transformim, ne nuk po ndërtojmë vetëm objekte, por po krijojmë kushte të reja për jetesë dinjitoze për çdo qytetar. Bashkë për Tetovën nuk është thjesht një slogan, por një zotim i sinqertë për të ardhmen tonë të përbashkët,” u shpreh Rexhepi.
Ky projekt vjen si pjesë e programit zhvillimor të Aleancës Kombëtare për Integrim, që synon modernizimin e qytetit dhe përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve nëpërmjet investimeve konkrete dhe të qëndrueshme./TS