Bajram Rexhepi mesazh të fortë për Bilall Kasamin: Tetovarët meritojnë përgjigje, si u dhurua toka e Monopolit, aty ku prehen stërgjyshërit tanë! (VIDEO)

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka publikuar një video-mesazh të drejtpërdrejtë dhe kritik ndaj kryetarit aktual të komunës, Bilall Kasami, duke e akuzuar për ikje nga përballjet publike dhe mungesë transparence në çështje kyçe për qytetin.
Në video, Rexhepi i referohet debatit të fundit në Prishtinë, të organizuar nga Jeta Xharra, ku sipas tij, shumë tema mbetën të pazbuluara, njofton TS. Ai thekson se Bilall Kasami, si kandidat në ikje, ka refuzuar disa herë të përballet ballë për ballë me rivalët e tij politikë, duke përmendur edhe mungesën për herë të tretë në debatin e TV21.
“Tetovarët meritojnë të dinë si u dhurua toka e Monopolit, aty ku prehen stërgjyshërit tanë. Meritojnë të dinë çfarë i detyroheni një kompanie serbe që dhuroi 800.000 euro për Tetovën. Kjo nuk është burrëri, kjo është ikje nga e vërteta,” shprehet Rexhepi në videon e publikuar në rrjetet sociale.
Ai shton se qytetarët janë të lodhur nga premtimet boshe dhe manipulimet, ndërsa më 19 tetor, sipas tij, do të jetë dita kur Tetova do të japë përgjigjen e merituar ndaj gjithë kësaj keqqeverisjeje dhe mungese llogaridhënieje./TS