Bajram Rexhepi: Sahat Mëhalla, nga zemra e Tetovës, mesazh për të ardhmen – Bashkë do ta ndërtojmë qytetin tonë!

Me mikpritjen e ngrohtë që e karakterizon gjithmonë Sahat Mëhallën, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka hapur sonte zyrtarisht shtabin zgjedhor në këtë lagje historike të qytetit.
Në një atmosferë miqësore dhe entuziaste, të mbushur me banorë, të rinj e përkrahës të shumtë, Rexhepi falënderoi qytetarët për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar rëndësinë e bashkimit rreth një vizioni të qartë për zhvillimin e Tetovës, njofton TS.
“Sahat Mëhalla është zemra e Tetovës – këtu ndjehet zëri i qytetit, zemra e popullit dhe fryma e ndryshimit. Nga këtu, japim mesazhin e qartë: Bashkë do ta ndërtojmë Tetovën e së ardhmes!” – deklaroi Rexhepi para të pranishmëve.
Ai shtoi se fushata do të fokusohet në zgjidhje konkrete, në projektet që prekin përditshmërinë e qytetarëve dhe në ndërtimin e një Tetove më funksionale, më të pastër dhe më të drejtë për të gjithë.
Me hapjen e shtabeve në çdo lagje, Aleanca Kombëtare për Integrim po synon të afrojë sa më shumë qytetarët me vendimmarrjen dhe të dëgjojë drejtpërdrejt hallet dhe idetë e tyre./TS