Kandidati për kryetar të Tetovës nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bajram Rexhepi, ka prezantuar projektet konkrete të vizionit të tij për zhvillimin e qytetit.

Në fjalimin e tij, ai tha se prioritet i qeverisjes së tij do të jetë rilindja urbane, infrastrukturore, kulturore dhe sportive.

“Ne garantojmë një qytet të pastër, të gjelbëruar dhe me ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Do të hapim bulevardet dhe gjithçka në Tetovë do të ndërtohet e planifikuar. Kështu, Tetova do të fillojë të marrë frymë lirshëm”, theksoi Rexhepi, njofton TS.

Ai paralajmëroi edhe ndërtimin e teleferikut dhe infrastrukturës turistike në Kodra e Diellit dhe Malsinë e Sharrit, për ta shndërruar rajonin në një qendër turistike katërstinore që do të gjallërojë ekonominë lokale dhe do të ndalë migrimin e të rinjve.

Në planin e tij parashikohet gjithashtu ndërtimi i një parku multifunksional dhe blloku administrativ në hapësirën ku sot ndodhet kazerma e Tetovës, ku do të zhvendosen institucionet komunale për të lehtësuar qarkullimin dhe zhvillimin urban.

“Ky është vizioni ynë për Tetovën – një qytet modern, të pastër dhe të zhvilluar ekonomikisht, ku komuna është në shërbim të qytetarit”, përfundoi Rexhepi./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com