Nga Arben Llalla
Haqim Ramadani, kandidati shqiptar nga radhët e VLEN-it për komunën e Bërvenicës, duket se është lënë i braktisur nga vetë struktura që e propozoi. Megjithatë, ai po fiton përkrahjen e sinqertë të qytetarëve shqiptarë që e shohin si një përfaqësues dinjitoz, të drejtë dhe të paanshëm. Pikërisht kjo përkrahje e dalë nga zemra e popullit është më e vlefshme se çdo mbështetje partiake.
Ngjarjet në Bërvenicë po zbulojnë fytyrën e vërtetë të politikës aktuale maqedonase. Kryeministri Hristijan Mickoski, në vend që të promovojë paqen dhe bashkëjetesën midis etnive, ka zgjedhur një gjuhë nxitëse e kërcënuese që thellon përçarjet mes votuesve maqedonas dhe shqiptarëve. Në një vend që aspiron integrimin Europian, një qasje e tillë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dëmshme për stabilitetin e ardhshëm të shoqërisë.
Por zhgënjimi më i madh nuk vjen nga Mickoski, por nga vetë radhët shqiptare.kryetari i Lëvizjes BESA Bilall Kasami, në vend që të mbështesë kandidatin shqiptar të dalë nga koalicioni i tij, Haqim Ramadanin nga fshati Çellopek, ka zgjedhur ta sulmojë dhe ta braktisë. Një sjellje e tillë është tregues i mungesës së solidaritetit politik dhe e një mentaliteti që e sheh pushtetin si pronë personale, jo si përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Në kohën kur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë më shumë se kurrë nevojë për unitet dhe dinjitet, këto veprime e dëmtojnë rëndë besimin e popullit tek politika shqiptare.
Veprime të tilla të Bilall Kasamit dhe të drejtuewsve të VLEN-ittregojnë se interesat personale dhe garat për pushtet kanë marrë përparësi ndaj kauzës kombëtare
Haqim Ramadani është shembulli i njeriut që qëndron me dinjitet përballë presioneve, manipulimeve dhe braktisjes, duke treguar se politika mund të ketë ende njerëz me ndërgjegje dhe guxim.
Në fund, ajo që po ndodh në Bërvenicë është më shumë se një betejë elektorale, e cila nuk duhej të ishte kështu. Tashmë është kthyer në një provë morale për të gjithë ata që flasin në emër të shqiptarëve. E ardhmja do t’i ndajë qartë ata që e përdorin kombin si mjet për pushtet nga ata që e mbrojnë si vlerë të shenjtë.
Tashmë pak rëndësi ka nëse Haqim Ramadani do të fitojë apo humbasë në këto zgjedhje. Ajo që ndodhi në Bërvenicë ka kaluar kufijtë e një gare lokale. Kjo situatë tregoi qartë se kryeministri Mickoski dhe koalicioni VLEN kanë shembur atë që u ndërtua me mund, me durim dhe me gjak pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Në vend të forcimit të mirëbesimit ndëretnik, u zgjodh rruga e përçarjes. Në vend të promovimit të bashkëjetesës, u përdor gjuha e urrejtjes dhe nxitjes. Kështu, një frymë që për vite u përpoq të ruante ekuilibrin delikat mes komuniteteve, sot po tronditet nga interesat e ngushta politike dhe kalkulimet elektorale.
Mickoski, në vend që të sillej si një kryeministër i të gjithëve, po e përdor pushtetin për të ndarë dhe manipuluar, ndërsa VLEN, që duhej të ishte zëri i shqiptarëve të dinjitetshëm, heshti përballë padrejtësive dhe në disa raste u bë pjesë e tyre.
Pasojat e kësaj sjelljeje do të ndihen gjatë, sepse është cenuar themeli më i ndjeshëm i një shoqërie multietnike: besimi mes njerëzve.
Marrëveshja e Ohrit ishte më shumë se një dokument politik – ajo ishte simboli i pajtimit dhe i shpresës se shqiptarët dhe maqedonasit mund të ndërtonin së bashku një shtet të drejtë. Sot, ajo frymë është tronditur. Mirëbesimi është thyer, paqja është turbulluar, dhe fajtorët janë ata që e zëvendësuan dinjitetin me pazar politik dhe moralin me frikë.