Në një takim të mbajtur sot me klubet sportive aktive të Komunës së Sarajit, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar komune, Blerand Ramadani, së bashku me deputetin Blerim Bexheti dhe kryetarin aktual të komunës, Ilas Veseli, prezantuan një vizion të ri për zhvillimin sportiv si bazë e shëndetit, edukimit dhe bashkimit të komunitetit.

Takimi mblodhi përfaqësues të klubeve të futbollit, atletikës dhe sporteve të tjera që veprojnë në territorin e komunës, të cilët shprehën angazhimin dhe pasionin për rritjen e sportit lokal dhe përkrahën iniciativat e reja të propozuara.

Në këtë takim u theksuan disa pika kyçe të programit:

Mbështetje e vazhdueshme për klubet ekzistuese dhe sportistët,
Krijimi i Lidhjes Sportive të Komunës së Sarajit, që do të shërbejë si platformë bashkëpunimi ndërmjet klubeve,
Formimi i klubeve të reja në disiplina si volejboll, hendboll dhe sporte të tjera,
Përmirësimi i infrastrukturës sportive në të gjitha vendbanimet, për kushte më të mira stërvitjeje,
Bashkëpunimi me shkollat, për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve që në moshë të hershme.

“Sporti është më shumë se lojë – është edukatë, disiplinë, shëndet dhe një mjet i fuqishëm për bashkim social. Ne besojmë se një Saraj i fortë ndërtohet mbi rininë e shëndoshë dhe mbi talentet që i ka me bollëk,” – deklaroi Blerand Ramadani.

Me vizionin e Aleancës Kombëtare për Integrim, Saraji synon të hapë një kapitull të ri në zhvillimin sportiv, ku të rinjtë do të kenë më shumë mundësi, më shumë hapësira dhe më shumë përkrahje në rrugën drejt suksesit – brenda dhe jashtë fushës.

“Bashkë fitojmë në çdo fushë!” – ishte mesazhi përmbyllës nga Ramadani, që u prit me entuziazëm nga sportistët e pranishëm./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com