Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të një pyetjeje nga gazetarët theksoi se gjatë kësaj fushate zgjedhore thelbësore është debati përmbajtësor dhe përballja e ofertave para qytetarëve.

“Unë mendoj se në fushatën zgjedhore më e rëndësishme është debati dhe përballja e ofertave. Ne nuk jemi të njëjtë. Kemi dallime në të gjitha çështjet”, deklaroi Osmani, duke theksuar se uniteti duhet të bazohet në mbrojtjen e përbashkët të postulateve kyçe kombëtare.

Ai e përsëriti mesazhin e tij drejtuar kundërkandidatit Izet Mexhiti, duke theksuar se ekzistojnë dallime të qarta në qasje dhe në parime.

“Z. Mexhiti e di vetë këtë, e kam thënë, ne kemi dallime në të gjitha pikat. Mos e prekni gjuhën, mos e prekni Balancuesin, mos e prekni Marrëveshjen e Ohrit. Këto janë çështjet për të cilat duhet të bashkohemi”, tha Osmani.

Ai shtoi se uniteti duhet të lindë nga kujdesi i përbashkët për të drejtat dhe dinjitetin e shqiptarëve.

“Derisa nuk ka bashkim për çështjet tona strategjike, derisa çdo ditë shqiptarët përzihen nga puna, derisa kthehen në zero në çdo konkurs, nuk mund të jem indiferent ndaj kësaj”, theksoi Osmani.

Ai reagoi ashpër ndaj gjendjes në të cilën ndodhet Komuna e Çairit, e cila, sipas tij, është rezultat i korrupsionit dhe mungesës së rendit dhe vizionit gjatë 20 viteve të fundit.

Osmani tha se përballja e vërtetë do të ndodhë më 19 tetor, kur qytetarët do të bëjnë vlerësimin e tyre zgjedhor.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com