Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga AKI-ja, Bujar Osmani, zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me prindërit e fëmijëve me autizëm dhe me aftësi të kufizuara, si dhe me përfaqësues të organizatave që i mbështesin ata.
Në një bisedë të sinqertë dhe të ngrohtë, Osmani u zotua se Komuna e Çairit do të ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar jetën dhe përkujdesjen ndaj këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre.
“I dëgjova me vëmendje, me zemër të hapur, dhe sot bëmë një marrëveshje të përbashkët,” – u shpreh Osmani në një postim të tij.
Sipas tij, marrëveshja përfshin tri masa kryesore:
Themelimi i një qendre ditore për qëndrimin e fëmijëve me autizëm dhe aftësi të kufizuara;
Qasje të lirë dhe të garantuar te specialistët – defektologë, logopedë e profesionistë të tjerë të fushës;
Krijimi i një fondi të posaçëm komunal për të mbështetur nevojat e tyre.
Osmani theksoi se këta fëmijë nuk kanë nevojë për mëshirë, por për mundësi, kujdes dhe dashuri.
“Çairi që po ndërtojmë do të jetë për të gjithë – pa përjashtim,” – theksoi ai.
Ky angazhim vjen si pjesë e platformës sociale të Bujar Osmanit për një komunë më gjithëpërfshirëse dhe me ndjeshmëri të shtuar ndaj grupeve në nevojë.