Bujar Osmani: I solla projektet më të rëndësishme në Çair, kopshtin “Bambi”, gjinekologjinë dhe Universitetin “Nënë Tereza”

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në debatin e emisionit “Top Tema” në Televizionin Telma theksoi se pikërisht ai qëndron prapa projekteve më të rëndësishme infrastrukturore dhe publike që janë realizuar në Çair gjatë viteve të fundit, edhe pse deri më tani nuk ka qenë pjesë e pushtetit lokal.
“Unë përmenda vetëm disa nga projektet që i kam realizuar nga pozita e ministrit në Qeveri. Edhe pse angazhimet e mia kanë qenë në Bruksel, Uashington, NATO, ligji për gjuhët, megjithatë unë e kam ndërtuar kopshtin më të madh në Çair, ‘Bambi’, që sot ata e promovojnë. Po ashtu, unë kam ndërtuar dhe repartin e gjinekologjisë në Çair,” deklaroi Osmani.
Ai shtoi se falë angazhimit të tij personal dhe autoritetit institucional, Çairi ka përfituar edhe investime të tjera të rëndësishme.
“Unë e solla Universitetin ‘Nënë Tereza’ në kazermën ‘Ilinden’, sepse personalisht kam negociuar për këtë me Ushtrinë. Ne përmes Qeverisë siguruam një milion euro për pishinën në Çair, 500 mijë euro për sallën ‘Partizani’, ndërsa kanalizimi në Seravë është realizuar me paratë e TAV-it,” theksoi Osmani.
Ai nënvizoi se pothuajse të gjitha projektet kapitale që sot promovohen nga pushteti lokal janë financuar nga Qeveria dhe janë realizuar me mbështetjen e tij.
“Të gjitha projektet që janë realizuar, ne i kemi ndihmuar dhe financuar nga ana e Qeverisë,” tha Osmani.
Sa i përket kryetarit aktual, Osmani theksoi se Çairi prej vitesh është i kapur nga e njëjta politikë dhe të njëjtët njerëz, të cilët nuk kanë arritur të sjellin ndryshime as pas dekadash në pushtet.
“Kryetarin aktual nuk e ka askund. Do të thotë, ne duhet t’i fshehim kryetarët e komunave që të mund t’i fitojmë zgjedhjet,” tha Osmani.
Ai porositi se Çairit i duhet një ndryshim i plotë i mentalitetit dhe mënyrës së qeverisjes.
“Unë e kam dëshmuar këtë në të gjitha institucionet që i kam drejtuar. Më thoshin se si mjek nuk mund të udhëheq diplomacinë, se nuk mund të zgjidhet çështja e emrit, se nuk mund të miratohet ligji për gjuhët, por kudo që kam hyrë, kam hyrë me disiplinë, përkushtim dhe besim se mund të arrihet,” tha Osmani.