Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në debatin televiziv “Top Tema” në TV Telma me kundërkandidatin e tij, Izet Mexhitin, deklaroi se ndërtimet pa leje dhe korrupsioni janë burimi më i madh i problemeve në komunë dhe se pikërisht ato e kanë mbytur Çairin gjatë dy dekadave të fundit.

“Nëse Çairi dikur duhej të njihej në botë për Çarshinë, për monumentet historike dhe gjelbërimin, sot – për fat të keq – kur përmendet Çairi, mendimi i gjithë shtetit, madje edhe më gjerë, lidhet me ndërtimet pa leje dhe korrupsionin”, tha Osmani.

Ai sqaroi se ekzistojnë tri kategori të ndërtimeve pa leje, por më të rrezikshmet janë ndërtesat komerciale të ndërtuara pa plan urbanistik, mbi tokë shtetërore dhe pa pagesë komunalesh.

“Me këtë është dëmtuar buxheti i shtetit, ndërsa ato para kanë përfunduar diku tjetër. Qytetarët që kanë blerë banesa me kursimet e tyre jetësore sot nuk kanë dokumente pronësie, nuk kanë vende parkimi dhe shumë prej tyre jetojnë në ndërtesa me konstruksion të pasigurt”, theksoi Osmani.

Sipas tij, korrupsioni dhe mafia urbane janë themeli i kolapsit të komunës.

“Në Çair ka raste kur ndërtesat banesore janë legalizuar si apartamente hoteliere vetëm që të paguhen 7 euro për metër në vend të 140. Kështu është shkaktuar një dëm milionësh ndaj buxhetit, ndërsa Çairi është mbytur urbanistikisht”, shtoi ai.
Osmani dënoi ashpër procesin e krimit të organizuar që ka ndodhur për vite me radhë me përfshirjen direkte të komunës dhe mafies urbane.

“I gjithë shteti e di se ky ishte një proces i krimit të organizuar, ku komuna dhe mafia urbane kanë uzurpuar parcelat shtetërore, kanë antidatuar objektet sikur të ishin ndërtuar para vitit 2011 dhe më pas kanë djegur arkivin. Janë qindra milionë euro të nxjerra nga qytetarët”, tha Osmani.

Njëkohësisht, ai paralajmëroi një politikë të qartë dhe të rreptë për ndarjen mes ndërtimeve të qytetarëve dhe atyre të investitorëve që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme.

“Për shtëpitë dhe ndërtimet sociale nuk do të ketë problem. Por ndërtim i ri pa leje, pa plan – nën përgjegjësinë time – nuk do të ketë. Dhe këtë e premtoj, edhe nëse më kushton zgjedhjet. Nëse nuk e ndalim këtë që në ditën e parë, Çairi do të kolapsojë tërësisht”, theksoi ai.

Osmani foli edhe për keqpërdorimin shumëvjeçar të lëndëve për legalizim, që përdoren si mjet për shantazhe politike.

“Trembëdhjetë mijë kërkesa për legalizim mbahen në sirtarë dhe përdoren para zgjedhjeve si shantazh: ‘nëse na jepni votën, do t’ju legalizojmë shtëpinë’. Brenda gjashtë muajve, aty ku ka bazë ligjore, nuk do të mbetet asnjë lëndë pezull. Nuk duhet t’i shantazhojmë qytetarët”, deklaroi Osmani.

Ai shtoi se qytetarët nuk kërkojnë vetëm ndërrimin e fytyrës së kryetarit të komunës, por ndërrimin e kulturës politike.

“Njerëzit nuk kërkojnë ta zëvendësojmë atë me mua, por të ndryshojë mënyra e qeverisjes. Korrupsioni duhet të ulet në zero, sepse e ka përfshirë Çairin në çdo pore të jetës”, tha Osmani, duke shtuar se për të gjitha ndërtimet e dyshimta duhet të veprojë prokuroria.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com