Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media theksoi se arsimi do të jetë një nga prioritetet e tij kryesore, së bashku me kujdesin ndaj më të vegjëlve përmes ndërtimit të çerdheve të reja. Përveç projekteve për dy çerdhe të reja, Osmani prezantoi edhe masat kyçe për përmirësimin e kapaciteteve në shkolla.

“Kushtet në shkollat ekzistuese janë mizerabël, prandaj do të fillojmë një projekt serioz për rinovimin dhe modernizimin e çerdheve dhe shkollave, që do të përfshijë rikonstruktimin e kuzhinave, tualeteve dhe oborreve, vendosjen e gardheve mbrojtëse për sigurinë e fëmijëve, si dhe zgjerimin e shërbimit të qëndrimit ditor për prindërit që punojnë”, deklaroi Osmani.

Ai theksoi se, megjithëse formalisht përgjegjësia për çerdhet i takon Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, është pikërisht komuna ajo që duhet të udhëheqë dhe të dizajnojë politikat kryesore për qytetarët e saj.

“Më 19 tetor kërkoj mbështetjen tuaj për të filluar një qasje të re në qeverisjen lokale, një qasje në të cilën nuk do të ekzistojnë më justifikime të tipit ‘nuk mundemi’ apo ‘nuk kemi kapacitete’. Ekzistojnë kapacitete, ekzistojnë burime: nga Bashkimi Evropian, Qeveria, Qyteti i Shkupit dhe vetë komuna. Ne do t’i vëmë këto burime në funksion të zhvillimit të Çairit”, tha Osmani.

Ai shtoi se qytetarët së shpejti do të shohin se sa burime ka komuna, por edhe se sa keq janë përdorur ato në të kaluarën.

“Ne hyjmë në këtë plan vizionar me një qëllim të vetëm: të krijojmë një Çair dinjitoz, ku fëmijët që nga dita e parë e jetës së tyre do ta ndiejnë dorën e ngrohtë të komunës”, përfundoi Osmani.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com