Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në tubimin e madh të mbajtur sonte në Çair, drejtoi një mesazh të fuqishëm për qytetarët, duke theksuar se pas dy dekadash padrejtësi, korrupsion dhe abuzime, ka ardhur koha që komuna më në fund të çlirohet nga klika që e mbajti Çairin peng për shumë vite.

“Çairin për njëzet vjet e mbajtën peng një grup njerëzish që ua vodhën ëndrrat banorëve të saj, e keqpërdorën besimin tonë dhe përfituan nga zhgënjimi juaj, nga ndjenja se ndoshta nuk mund të bëhet më mirë. Por sot e themi mjaft, mjaft me zhgënjimin, mjaft me frikën, dhe fillojmë ndryshimin e Çairit”, deklaroi Osmani.

Ai theksoi se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, por vendimtare, sepse përfaqësojnë një betejë midis popullit dhe një grupi njerëzish që për dy dekada kanë shkatërruar jetën shoqërore, ekonomike dhe urbane të Çairit.

“Kjo është betejë mes qytetarëve të Çairit nga njëra anë, dhe një klike, një grup njerëzish që e kanë sunduar dhe plaçkitur Çairin për njëzet vjet, nga ana tjetër. Dhe dua të them qartë: populli do të fitojë, ne do të fitojmë, sepse këtë e dëgjojmë çdo ditë, në çdo rrugë dhe në çdo cep të Çairit. Njerëzit kërkojnë ndryshim, kërkojnë çlirim, kërkojnë të priten zinxhirët e korrupsionit, kaosit dhe uzurpimit”, theksoi Osmani.

Ai foli hapur edhe për përgjegjësinë e atyre që në të kaluarën e kanë mbështetur strukturën e vjetër, përfshirë edhe vetë atë, duke nënvizuar se sot, me guxim, e pranon atë si gabim.

“Jam i vetëdijshëm se disa prej jush e kanë humbur besimin në politikë. Thonë: ‘ju na i sollët ata, të gjithë jeni të njëjtë’. Dhe nëse kam ndonjë dobësi, nëse ndjej ndonjë përgjegjësi ose faj në këtë fushatë, ajo është që iu besuam dhe kërkuam besimin tuaj për ta. Dhe kam guximin ta pranoj këtë si gabim”, tha Osmani.

Ai shtoi se dallimi i vërtetë midis tij dhe kundërkandidatit të tij, Izet Mexhiti nga VLEN, është se ai dhe familja e tij jetojnë në Çair bashkë me qytetarët e saj, ndajnë të njëjtat vështirësi dhe e ndjejnë të njëjtën luftë.

“Unë jetoj këtu, fëmijët e mi jetojnë këtu, ndaj vështirësitë bashkë me ju. Ndërsa ai që e shkatërroi Çairin për njëzet vjet, iku nga Çairi! Iku dhe na la pas vetëm plehra, korrupsion dhe ndërtime pa leje”, theksoi Osmani, duke dërguar një mesazh të fuqishëm për fillimin e një kohe të re për komunën./TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com