Drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Burim Latifi , njëherësh kushëri i liderit të LD-së, Izet Mexhiti, reagoi ndaj akuzave të Aleancës për Shqiptarët, duke i cilësuar si “tentativë për ta futur sektorin energjetik në politikën ditore dhe fushatën zgjedhore”.
Por, përtej reagimit të tij, ajo që bie më shumë në sy është pranimi i drejtpërdrejtë se Aleanca për Shqiptarët ndodhet në opozitë dhe nuk është më pjesë e koalicionit VLEN, siç kanë këmbëngulur deri më tani Arben Fetai dhe eksponentë të tjerë të VLEN-it, përfshi edhe familjarin e tij, liderin e LD-së, Izet Mexhiti.
Me këtë deklaratë, Latifi praktikisht rrëzon narrativën e Fetait dhe drejtuesve të VLEN-it, të cilët publikisht kanë pohuar se vetëm Arben Taravari dhe një grup i vogël mbështetësish janë larguar, ndërsa pjesa tjetër e ASH-së vazhdon të jetë në qeveri dhe në koalicion.
Kjo rrëshqitje verbale e tezakut të Mexhitit pritet të ketë pasoja politike për VLEN-in, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e pretendimit se ASH-ja, si subjekt i plotë, ende qëndron në pushtet.
“Sipas Latifit, ASH-ja e Arben Taravarit po përpiqet ta fusë sektorin energjetik në politikën ditore dhe fushatën lokale,” komentonin burime politike në Shkup, duke shtuar se kjo deklaratë i shkakton telashe serioze Arben Fetait në raport me opinionin publik. /Gazeta Flaka