Në një atmosferë entuziazmi dhe përkrahjeje të madhe qytetare, koalicioni VLEN mbajti sonte tubimin qendror në Tearcë, ku fjalim emocionues mbajti kandidati për kryetar komune, Daut Memishi.
Në prani të strukturave partiake, të rinjve, përfaqësuesve të VLEN-it dhe qytetarëve të shumtë, Memishi theksoi se “ky nuk është më vetëm një proces zgjedhor, por një zgjim i qytetarëve të Tearcës.”
“Sonte, këtu, në këtë vend që e dua më shumë se çdo gjë, ka filluar ndryshimi.
Shikoj në sytë tuaj shpresë, guxim dhe forcë që nuk mund ta ndalë askush.
Kjo nuk është më vetëm fushatë… kjo është zgjim,” – tha Memishi.
Ai kritikoi qeverisjet e deritanishme që, sipas tij, e kanë lënë komunën pas dore, duke u ofruar qytetarëve vetëm mashtrime dhe padrejtësi, ndërsa theksoi se “Tearca nuk ha më premtime boshe.”
“Unë vij nga ju – nga rruga, nga djersa, nga puna. Vij nga fshati, nga toka, nga sporti, nga çdo vend ku është derdhur mund e ndershmëri. Prandaj e ndiej dhimbjen e këtij vendi, por edhe fuqinë e tij,” u shpreh kandidati i VLEN-it.
Memishi premtoi se me ardhjen e tij në krye të komunës, Tearca do të bëhet komuna e punës, e rritjes dhe e barazisë, me investime në bujqësi, sport, të rinj dhe familje punëtore.
“Koha e mashtruesve po përfundon! Koha e qytetarëve ka filluar! Dhe këtë betejë do ta fitojmë jo me fjalë, por me punë, me zemër dhe me qëndresë,” – deklaroi ai mes duartrokitjeve të pranishmëve.
Në fund, Memishi përfundoi me thirrjen që elektrizoi sallën:
“Tearca është zgjuar!
Ndryshimi ka filluar!
Fitorja e qytetarëve, më shumë se kurrë, është afruar!”
Tubimi përmbylli një mbrëmje të ngrohtë dhe plot energji pozitive, ku qytetarët e Tearcës shprehën mbështetje të qartë për kandidatin e VLEN-it, Daut Memishi, në garën e 19 tetorit.