Gjykata e Tiranës ka dhënë sot vendimin për motrat Mariela dhe Antonela Berishaj, të cilat u gjykuan për dhunën e ushtruar ndaj blogeres Klea Prenga.
Mariela Berishaj u dënua me 3 vite burg, vendim i cili u ul në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ajo ishte hetuar dhe gjykuar në arrest shtëpie, ndaj nuk do të shkojë menjëherë në burg deri në formimin përfundimtar të vendimit.
Motra e saj, Antonela Berishaj, nuk rrezikon vuajtjen e burgut, pasi dënimi i saj u konvertua në 3 vite shërbim prove. Ngjarja ndodhi më 6 gusht 2024, kur Klea Prenga po darkonte në një restorant në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë. Motrat e sulmuan duke përdorur sende të forta, përfshirë shishe qelqi, duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në fytyrë.
Njoftimi i plotë
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, pasi ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor të çështjes penale në ngarkim të të pandehurave M.B. dhe A.B, ka shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha aktet dhe provat të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, ka dëgjuar palët në pretendimet e tyre përfundimtare, në emër të Republikës,
VENDOSI
1. Deklarimin fajtore të të pandehures M.B. për kryerjen e veprës penale të “Plagosje e rende me dashje” e kryher ne bashkëpunim parashikuar nga neni 88 e 25 i K.Penal dhe dënimin e saj në bazë të këtij neni me 3 (tre) vjet burgim.
2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit M. B. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) burgim.
3. Vuajtja e dënimit për të pandehuren M.B. fillon nga dita e vete-dorëzimit te saj date 15.10.2024, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
4. Deklarimin fajtor të të pandehures A.B. për kryerjen e veprës penale të “Plagosje e rende me dashje” e kryher ne bashkëpunim parashikuar nga neni 88 e 25 i K.Penal dhe dënimin e saj në bazë të këtij neni me 3 (tre) vjet burgim.
5. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A. B., i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
6. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal urdherohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, për një kohë prove prej 3 (tre) vjet, me kusht që e pandehura të mbajë kontakte me Sherbimin e Provës dhe gjate kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
7. Heqjen e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, caktuar nga Gjykata e Shkalles se Pare e Juridiksionit te Pergjithshem Tiranë me vendimin nr. 2540 Akti, date 10.10.2024.
8. Shpenzimet proceduriale gjate fazes se hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqesore i ngarkohen te pandehurave ne menyre solidare.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit te Juridiksionit te Pergjithshem Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall sot në Tiranë, më datë 16.10.2025