14 tetor 2025, Shkup – Nga sot, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, do të jetë në vizitë pune në SHBA, ku do të marrë pjesë në Takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që po mbahen këtë javë në Washington.

Kjo vizitë do të jetë mundësi për ministren e Financave të takohet me përfaqësuesit e lartë të këtyre institucioneve financiare ndërkombëtare për t’i prezantuar politikat ekonomike dhe fiskale që po zbaton Qeveria, përpjekjet për konsolidim fiskal, ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe sigurimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Sipas axhendës, ministrja do të takohet me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së Bo Li, drejtorin ekzekutiv Jeroen Clicq, zëvendësdrejtorët ekzekutivë Marnix van Rij dhe Vladyslav Rashkovan, drejtorin e departamentit evropian të FMN-së Alfred Kammer dhe shefin e Misionit të FMN-së në vendin tonë, Nick Gigineishvili. Gjithashtu, janë planifikuar takime me zëvendëskryetaren e Bankës Botërore Antonella Bassani, drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Eugene Rhuggenaath, drejtorin rajonal për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Azinë Qendrore, Xiaoqing Yu dhe drejtoreshën për vendin tonë në Bankën Botërore, Carole Megevand.

Në Washington, ministrja e Financave do ta ketë mundësinë të takohet me përfaqësuesit e Thesarit të SHBA-së, me të cilin është vendosur bashkëpunim për ta përforcuar efikasitetin e institucioneve, si dhe me shumë investitorë, të cilët janë të përfshirë në procesin e emetimit të euroobligacioneve.

Takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore këtë vit janë me moton “Mundësi në kohë ndryshimesh”, me ç’rast pjesëmarrësve u ofrojnë mundësi, përkatësisht ministrave të financave, guvernatorëve, përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, shoqërive civile, akademikëve, etj., për adresimin e situatave aktuale dhe sfidave në korniza globale dhe të gjejnë zgjidhje të mundshme. Ministrja e Financave në takimet vjetore në Washington merr pjesë së bashku me guvernatorin e Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com