Michael J. Fox, aktori ikonik kanadezo-amerikan i njohur në mbarë botën për rolin e tij në filmin kult “Back to the Future” dhe sitcom-in “Family Ties”, ka bërë një deklaratë tronditëse lidhur me jetën dhe vdekjen.

Në një intervistë të gjatë për gazetën britanike The Sunday Times, 64-vjeçari, i cili prej më shumë se 35 vitesh jeton me sëmundjen e Parkinsonit, pranoi se shpesh mendon për fundin e tij.

“Do të doja vetëm të mos zgjohesha kurrë. Kjo do të ishte e mrekullueshme. Nuk dua që vdekja ime të jetë dramatike. Nuk dua të pengohem mbi mobilje dhe të godas kokën”, tha Fox me një sinqeritet që ka prekur miliona fansa.

Diagnostikuar në moshën 29-vjeçare

Michael J. Fox u diagnostikua me Parkinson në vitin 1991, kur ishte vetëm 29 vjeç dhe në kulmin e karrierës së tij. Sëmundja neurodegjenerative përparon ngadalë duke shkaktuar dridhje, ngadalësim të lëvizjeve dhe vështirësi motorike.

“Nuk ka një afat kohor, nuk ka faza të qarta siç ndodh me disa kancere. Është një sëmundje enigmatike. Mund të eci ende, por është e rrezikshme”, shpjegoi ai.

Jeta me sfida të përditshme

Në intervista të tjera, përfshirë atë me revistën People, Fox ka treguar se çdo mëngjes është një test i ri:

“Zgjohem dhe e kuptoj që nga reagimet e trupit tim se si do të jetë dita. Më duhet të përshtatem vazhdimisht. Çdo ditë përballem me sfida të reja fizike dhe përpiqem t’i kapërcej”.

Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ai përdor shpesh karrocë me rrota, një realitet me të cilin – siç thotë – iu desh kohë të pajtohej.

Karrierë dhe angazhim edhe pas tërheqjes

Edhe pse në vitin 2000 njoftoi tërheqjen nga aktrimi për shkak të sëmundjes, Michael J. Fox mbetet aktiv. Ai ka themeluar Fondacionin Michael J. Fox për Kërkimin e Parkinsonit, i cili prej dy dekadash ka mbledhur qindra miliona dollarë për kërkime shkencore.

Kohët e fundit ai publikoi librin “Future Boy”, i shkruar me Nelle Fortenberry, ku rrëfen jetën e tij, karrierën dhe përballjen me sëmundjen. Po ashtu, ai do të shfaqet si i ftuar në sezonin e tretë të serialit “Shrinking”.

“Gjithmonë ka një moment kur them lamtumirë, – deklaroi me ironi aktori, duke treguar se edhe në ditët më të vështira nuk e humb kurrë sensin e humorit.”

Një jetë me dashuri dhe familje

Pavarësisht vuajtjeve, Fox thotë se gjen forcë te familja. Ai është i martuar prej 37 vitesh me aktoren Tracy Pollan dhe kanë së bashku katër fëmijë: Sam (36), binjakët Aquinnah dhe Schuyler (30), si dhe Esmé (23).

“Viti i kaluar ka qenë pozitiv dhe frymëzues. Jam i sfiduar çdo ditë, por jam i rrethuar nga dashuria e familjes sime”, shtoi ai. /

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com