Autoritetet izraelite kanë konfirmuar se ekipeve nga Egjipti dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq u është lejuar të kërkojnë për trupat e pengjeve të marra gjatë sulmeve të 7 tetorit të para dy vjetëve.
Qeveria izraelite tha se ekipeve u është lejuar të kërkojnë përtej të ashtuquajturës “vijë e verdhë” në zonën e kontrolluar nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në Gazë.
Veçmas të dielën, mediat izraelite kanë raportuar se anëtarëve të Hamas iu lejua gjithashtu të hyjnë në zonën e Gazës të kontrolluar nga IDF-ja për të ndihmuar në kërkim, së bashku me ekipet e Kryqit të Kuq.
Hamas ka transferuar 15 nga 28 pengjet e vdekura izraelite në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila kërkon dorëzimin e të gjitha trupave të pengjeve. Ky grup ka njoftuar se tani po koordinohet me autoritetet egjiptiane.
Donald Trumpi e ka paralajmëruar Hamas të fillojë kthimin e trupave shpejt, përndryshe vendet e tjera të përfshira do të ndërmarrin veprime.
Një zëdhënës izraelit tha se ekipit egjiptian i është lejuar të punojë me KNKK-në për të gjetur trupat dhe do të përdorë makineri ekskavatorësh dhe kamionë për kërkimin përtej “vijës së verdhë”.
“Vija e verdhë” shënon kufirin që shtrihet përgjatë veriut, jugut dhe lindjes së Gazës, ku Izraeli u tërhoq, si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit.
Deri më tani, Izraeli nuk e ka miratuar hyrjen e ekipeve të tilla. Hamas nuk i dorëzon pengjet – të gjallë apo të vdekur – drejtpërdrejt te Forcat Mbrojtëse të Izraelit, por te Kryqi i Kuq, i cili i shoqëron më pas ata përmes Gazës dhe ia dorëzon IDF-së.
Hamas ka njoftuar po përballet me vështirësi në gjetjen e trupave të pengjeve nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara nga ushtria izraelite në Gaza, për çka tani po koordinohet me autoritetet egjiptiane.
Të dielën, një zëdhënës i qeverisë izraelite tha se Hamas e dinte se ku ndodheshin trupat.
“Nëse Hamas do të bënte më shumë përpjekje, do të ishte në gjendje të merrte eshtrat e pengjeve tona”, ka thënë zëdhënësi, raporton BBC.