Në një tubim të mbajtur mbrëmë në fshatin Pallaticë, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Zhelinës, Emir Sulejmani, u prit me entuziazëm nga banorët, duke e kthyer ngjarjen në një demonstrim të qartë mbështetjeje dhe shprese për ndryshim.
Atmosfera në Pallaticë u përshkua nga emocione, brohoritje dhe përkrahje të fuqishme, ku qytetarët dhanë mesazhin se janë të gatshëm për një kapitull të ri për komunën e tyre, njofton TS.
“Pallatica mbrëmë u bë simbol i fitores që po vjen! Plot zemra, një zë, një besim! Mikpritje madhështore, frymë e pathyeshme dhe shenja fitoreje në çdo cep. Kjo është Pallatica që nuk përkulet – kjo është forca që do ta ndryshojë Zhelinën!”, u shpreh Emir Sulejmani në fjalimin e tij para qytetarëve.
Kandidati i AKI-së theksoi se vizioni i tij për Zhelinën është ndërtuar mbi dinjitetin, zhvillimin e barabartë dhe fuqizimin e komunitetit, duke premtuar një qeverisje të ndershme dhe të përkushtuar ndaj nevojave të qytetarëve.
Pallatica është vetëm njëra nga ndalesat në kuadër të fushatës zgjedhore të Emir Sulejmanit, i cili po shihet si një prej kandidatëve më premtues për zgjedhjet lokale në këtë komunë./TS