Emir Sulejmani: Për katër vite do ta përmbyll projektin e kanalizimit dhe ujësjellësit në të gjithë komunën e Zhelinës (VIDEO)

Kandidati për kryetar komune, Emir Sulejmani, gjatë një debati televiziv në TV21, u zotua se gjatë mandatit të tij katërvjeçar do të përmbyllet ndërtimi i rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit për të gjitha vendbanimet e Dërvendit.
“Do të realizohet ndërtimi i rrjetit të kanalizimit për 7 vendbanimet e Dërvendit. Po ashtu, do të ndërtohet rrjeti i kanalizimit për fshatin Cerovë dhe fshatin Leshnicë e Poshtme. Do të ketë zgjerim të vazhdueshëm të rrjetit deri në 1 km çdo vit”, deklaroi Sulejmani, njofton TS.
Ai shtoi se të gjitha vendbanimet e zonës do të kenë kanalizim funksional dhe se realizimi i këtij projekti do të bëhet në përputhje me procedurat ligjore.
“Nuk jemi kundër pjesëmarrjes së qytetarëve, por ajo duhet të ndodhë në formë të ligjshme, ashtu siç e parasheh ligji. Qytetarët duhet të marrin pjesë në kyçje, por jo në ndërtim, siç po ndodh aktualisht në disa vendbanime”, tha Sulejmani.
Ai gjithashtu përmendi edhe gjendjen në fshatin Trebosh, ku shumë shtëpi ende nuk janë të kyçura në kanalizim për arsye të ndryshme. “Edhe atje, si në gjithë komunën, brenda mandatit tim katërvjeçar, do të përfundojmë projektin e kanalizimit dhe ujësjellësit”, përfundoi Sulejmani./TS