Emir Sulejmani u premton ujë të pijshëm Treboshit dhe Uzurmishti: Koha e premtimeve boshe ka marrë fund!

Në një mbrëmje të mbushur me entuziazëm, energji dhe vendosmëri, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Zhelinës, Emir Sulejmani, zhvilloi një takim mbresëlënës me banorët e fshatrave Trebosh dhe Uzurmisht.
Mesazhi ishte i qartë dhe i prerë, qytetarët janë të lodhur nga premtimet boshe dhe kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet që i prekin çdo ditë, njofton TS.
Në fjalën e tij, Sulejmani falënderoi banorët për mbështetjen e madhe që po e shfaqin në çdo takim dhe theksoi se vizioni i tij nuk është i ndërtuar mbi fjalë, por mbi vepra të matshme. Ai theksoi se furnizimi i qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjithë banorët është një ndër prioritetet kryesore të mandatit të tij. Po ashtu, ai u zotua për zhvillim real dhe të prekshëm në çdo lagje, investime në infrastrukturë, përmirësim të shërbimeve dhe qeverisje të ndershme e transparente.
“Zhelina po zgjohet. Zëri i saj nuk mund të injorohet më. Ky është zëri i ndryshimit të vërtetë – jo thjesht për pushtet, por për të kthyer dinjitetin dhe shpresën në çdo shtëpi të kësaj komune”, u shpreh Sulejmani para dhjetëra qytetarëve të pranishëm.
Banorët e Treboshit dhe Uzurmishtit dhanë një përkrahje të qartë dhe të fortë për kandidaturën e Sulejmanit, duke kërkuar një fillim të ri dhe një udhëheqje që i dëgjon dhe vepron me përgjegjësi./TS