ESM distancohet nga arrestimi i pronarit të “Markovski Company”: “Asnjë nga menaxhmenti aktual i REK Bitola nuk është i përfshirë”

Pas lajmeve për arrestimin e pronarit të “Markovski Company”, Borce Markovski, kompania shtetërore AD ESM ka dalë me një reagim të prerë publik, duke sqaruar se asnjë anëtar i menaxhmentit aktual të REK Bitola nuk është ndaluar dhe nuk ka lidhje me procedurat e hetimit informon Tetovasot.
Nga ESM theksojnë se bëhet fjalë për persona që kanë qenë pjesë e ish-menaxhmentit të REK Bitola, ndërsa procedura aktuale e zhvilluar nga autoritetet kompetente ka të bëjë me vendime dhe veprime të ndërmarra para ardhjes në detyrë të ekipit të tanishëm drejtues.
“Ne inkurajojmë sqarimin e plotë të rastit dhe shprehim mbështetje për institucionet në zbatimin e procedurave ligjore, me qëllim përcaktimin e situatës faktike”, thuhet në reagimin e ESM-së.
Nga ndërmarrja u bëhet thirrje mediave dhe publikut të mos përhapin dezinformata që mund të dëmtojnë reputacionin e kompanisë dhe të bëjnë dallim të qartë midis menaxhmentit të mëparshëm dhe atij aktual.