Fakulteti Pedagogjik e përmbylli me sukses Javën e Veçantë Studimore 2025, u shpallën edhe projektet fituese të këtij edicioni
Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, i mbylli punimet e Javës së Veçantë Studimore 2025. Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me Qendrën Maqedonase për Edukim Qytetar. Në kuadër të kësaj jave, sot në sheshin e Universitetit, studentët i prezantuan projektet e tyre. Kjo veprimtari tashmë tradicionale ka për qëllim të nxisë kreativitetin, bashkëpunimin dhe zhvillimin profesional të studentëve përmes aktiviteteve praktike, prezantimeve shkencore dhe punëtorive të ndryshme. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Yzeiri-Baftijari, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, drejtori i Qendrës Maqedonase për Edukim Qytetar, z. Besnik Ramadani dhe z. Metin Muaremi – trajnues në menaxhimin e projekteve.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, njëherazi organizatori i kësaj ngjarjeje, theksoi se Java e Veçantë Studimore 2025, është një mënyrë tjetër e realizimit të studimeve, pra punë përmes projekteve. Këtë vit tema e Javës së Veçantë Studimore ishte “Nga ideja te suksesi: Menaxhimi efektiv i projekteve”. “Studentët për dy ditë janë trajnuar në lidhje me atë se si të fillojnë të shkruajnë një projekt nga ideja e deri te raporti përfundimtar duke i përfshirë të gjitha fazat. Më pas, dy ditë nën mentorim të profesorëve të Fakultetit Pedagogjik kanë punuar në projekte. Ne sot i promovuam projektet dhe pamë se doli në pah kreativiteti i studentëve, kishim 9 projekte, 9 grupe të studentëve që kanë punuar dhe secili projekt e ka vlerën e vet, secili projekt synon rezultate të caktuara dhe secili projekt ka një mund dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm të studentëve tanë që sot i treguan vlerat dhe cilësitë se ne me të vërtetë kemi studentë të mirë. Duhet që këtë kapacitet ta shfrytëzojmë, të ecim në hap me ndryshimet e kohës, me sfidat me të cilat ballafaqohemi në shoqëri. Projektet kanë qenë nga më të ndryshmet, kanë prekur zhvillimin e aftësive socio-emocionale, orientimin në karrierë, detektimin e rasteve të fëmijëve me nevoja të veçanta, prevenimin para se të fillojë trajtimi, projekte që kanë pasur synim zgjedhjen e problemeve me qentë endacakë, ushqimin e studentëve përmes hapjes së një kantine, ku vetë studentët do të vetëpunësohen, do të angazhohen në këtë drejtim dhe do të kenë hapësira edhe të ulen, të mësojnë dhe shoqërohen njëri me tjetrin, në hapësirat e vetë Universitetit të Tetovës, pasi i kemi ato kapacitete”, tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti, u publikuan tre projektet më të mira. Vendin e parë e fitoi grupi i studentëve me projektin: “Siguria dhe etika digjitale”, vendi i dytë u takoi studentëve me projektin e krijuar për hapësirën studentore në Universitetin e Tetovës: “UT University Relaxing Spot” dhe me vendin e tretë u shpërblye grupi i studentëve të cilët kishin përgatitur projektin: “Zona e reflektimit pedagogjik”.




