Fushata për zgjedhjet lokale në Kërçovë po hyn në një fazë të nxehtë, ku Fatmir Limani, kandidati i koalicionit VLEN, vazhdon të mbajë epërsinë e qartë në terren dhe në opinionin publik. Me premtime konkrete dhe një fushatë të mirëorganizuar, Limani po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje dhe duket si kandidati që ka kapur më mirë simpatinë dhe besimin, veçanërisht për shkak të qasjes së tij pozitive dhe përkushtimit për përfshirjen e diasporës në zhvillimin e komunës.
Shkodran Alili, një tjetër kandidat në garë, mban një prezencë të kujdesshme dhe të balancuar gjatë fushatës, megjithëse kjo qasje ka bërë që ndikimi i tij të jetë më modest dhe jo aq i dukshëm sa ai i Limanit.
Në anën tjetër, Fatmir Dehari, kryetari aktual i komunës, është përballur me kritika të ashpra nga mërgata shqiptare, veçanërisht pas një aktiviteti promovues në Zvicër, ku sjellja e tij u perceptua si arrogante dhe sulmuese ndaj diasporës, e cila ka kontribuar për zhvillimin e vendlindjes. Një veprim i veçantë që ka shqetësuar komunitetin ishte kritika e Deharit ndaj kryetarit dhe Kryesisë së Shoqatës Kulturore Kërçova – Zvicër, një organizatë e cila prej vitit 2013 ka qenë shtylla kryesore në mobilizimin dhe organizimin e aktiviteteve të diasporës në shërbim të Kërçovës dhe nen drejtimin e Kryetarit aktual Resul Mehmedi, shoqata ka treguar integritet dhe përkushtim të palodhur gjatë gjithë këtyre viteve.
Kritikat ndaj kësaj shoqate, janë parë nga mërgata si të padenja dhe një mungesë e thellë respekti dhe mirënjohjeje për punën e saj. Qytetarë të ndryshëm dhe mërgimtarë, të cilët ndoqën aktivitetin, kanë reaguar në rrjetet sociale për sjelljen e Deharit. Reagime të shumta janë bërë në faqen “Fshati Cërvicë” në Facebook.
“Kur dikush i drejtohet mërgatës me përçmim, i drejtohet zemrës së Kërçovës me përbuzje. Në vend që të përqendrohej në prezantimin e programit të tij qeverisës për periudhën 2025-2029, Dehari u përqendrua në kritika personale ndaj kundërshtarëve dhe organizatorëve, duke lënë një shije negative tek pjesëmarrësit dhe duke dëmtuar marrëdhëniet me diasporën –theksojnë komentuesit duke reflektuar ndjeshmërinë e komunitetit për këtë çështje.
Ndryshe, Limani ka bërë të qartë se diaspora do të jetë pjesë integrale e projektit të tij politik, duke u zotuar për bashkëpunim të ngushtë me bizneset e diasporës dhe për përfshirjen aktive të tyre në zhvillimin e komunës. Në prag të zgjedhjeve lokale, qytetarët e Kërçovës dhe mërgimtarët dërgojnë një mesazh të qartë: Koha për ndryshim është tani.