Filipçe: LSDM nuk ka bashkëpunim formal as bisedime me asnjë parti për zgjedhjen e kryetarit të Shkupit
 
									
																Në komunat ku LSDM nuk ka kandidat në rrethin e dytë çdo anëtar, qytetar dhe simpatizues ka të drejtë të plotë të vendosë në bazë të bindjes së tij sipas asaj se cili kandidat sjell vlera të afërta me idenë socialdemokrate dhe vlera për sundim të ndershëm, për respekt, për barazi dhe për zhvillim, tha sot në konferencë për media kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Potencoi se në ato komuna LSDM nuk do të hyjë as kanë hyrë në kalkulime dhe marrëveshje të fshehta.
Filipçe tha se LSDM nuk ka bashkëpunim formal as bisedime me asnjë parti për zgjedhje të kryetarit të Shkupit ku në rrethin e dytë janë kandidatët e VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski dhe i Së majtës, Amar Mecinoviq.
Nuk ka, siç tha, as marrëveshje për mbështetje të Stevço Jakimovskit në Karposh, edhe pse ishte publikuar një fotografi e përbashkët e kandidates së LSDM-së, Maja Mojsovska nga rrethi i parë i zgjedhjeve me Jakimovskin.
Në lidhje me komunat e tjera, bëri të ditur, njerëzit shumë mirë e dinë cilët janë kandidatët të cilëve mund tu besojnë, cilët do të ofrojnë, cilët kanë marrëdhënie të mira dhe kjo do të jetë forca e LSDM-së në ditën e votimit.
Në konferencën për media, Filipçe bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje dhe kërkoi mbështetje maksimale për kandidatët e LSDM-së, duke vlerësuar se me zgjedhjen e tyre, qytetarët do të marrin kryetarë komunash që do të punojnë ekskluzivisht në interesat e tyre dhe do t’u japin llogari atyre.
Në rrethin e dytë, ne kërkojmë mbështetje nga të gjithë qytetarët dhe votuesit, pavarësisht se për kë kanë votuar në rrethin e parë. Gjithashtu u bëj thirrje të gjithë kandidatëve dhe mbështetësve të tyre që nuk arritën në rrethin e dytë t’i bashkohen kësaj lufte për të mbështetur këto politika të bazuara në vlera, theksoi kryetari i LSDM-së.
Filipçe beson se trendi i rënies së mbështetjes për partinë në pushtet duhet të vazhdojë, siç tha ai. “Kjo ishte e dukshme në rrethin e parë, VMRO-DPMNE humbi mbi 140.000 vota për një vit e gjysmë, që është një tregues i qartë se atmosfera opozitare po rritet. Pres që kjo të intensifikohet pas zgjedhjeve sepse qeveria nuk ka ofruar zgjidhje për problemet e qytetarëve”, tha Filipçe.
