Urim Saliu-Tetovasot

Ai nuk ka më konkurrencë mes maqedonasve. Kështjella e tij politike u ngrit mbi themelet e nacionalizmit dhe idenë se shteti duhet t’u “kthehet maqedonasve”. Hristijan Mickoski tashmë ka aq shumë fuqi politike, sa mund t’u japë “pjesë” edhe të tjerëve , madje edhe kryetarëve që nuk janë të VMRO-së, përfshirë edhe shqiptarët, të cilët ai i kontrollon dhe i kushtëzon përmes pushtetit të tij absolut.
Në sistemin aktual, ekziston vetëm një rregull: në bashkëqeverisje duhet të ketë një parti apo koalicion shqiptar , por kjo është thjesht një formë, një dekor institucional. Po të mundte, Mickoski nuk do ta mbante as këtë.
Koha tashmë po flet qartë për VMRO-në dhe për drejtuesin e saj. Ngritja e Mickoskit vjen si pasojë e një LSDM-je që është në rënie të lirë. Ai po i fiton zgjedhjet thellë, njëra pas tjetrës, dhe po e kthen situatën në favor të maqedonasve si një hakmarrje për vitet kur shqiptarët kishin pozicione të forta në qeverisje me LSDM-në.
Sot, Mickoski nuk përfill askënd. Në fjalimet e tij, shpesh me tone ironike e përçmuese, ai flet për “shqiponjat”, “korbat” dhe “lepujt” , një mënyrë për të dërguar mesazhe disiplinimi. Kur thotë “mos bëj si Ahmeti se të ndodh e njëjta gjë”, është e qartë se kujt i drejtohet: Bilall Kasamit.
Në thelb, Mickoski dëshiron të forcojë ndikimin e tij mbi të gjitha palët. Sa më shumë të përplasen AKI dhe VLEN, aq më të dobëta bëhen të dyja. Edhe sikur sot VLEN të largohej nga qeverisja, as AKI nuk do të kishte asnjë ndikim. Ai ka vendosur “veto” ndaj shqiptarëve dhe kjo tashmë është e dukshme.
Fjalimet e tij janë pompoze, triumfale, dhe çdo dalje publike është dëshmi e një realiteti të ri: VMRO-ja dominon çdo cep të vendit. Edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ata do ta kenë fjalën e fundit. Mickoski do të përcaktojë edhe se kush nga shqiptarët do të drejtojë, në këmbim të çmimit që ai di ta kërkojë më mirë se kushdo tjetër: pushtet, pushtet dhe vetëm pushtet.
Politika shqiptare ndërkaq ka drejtuar sytë drejt humnerës. Ajo është kthyer në një politikë pazaresh të ulëta, në politikë vasalesh, e në një skenë të diktuar nga VMRO-ja. Kurrë më parë shqiptarët nuk kanë qenë kaq të papërfillur, kaq pa ndikim e kaq pa dinjitet politik.
Koha po punon për VMRO-në ,por kundër shqiptarëve.
Deri kur do të vazhdojë kjo? Askush nuk e di.
Shpresa e vetme, ndoshta, mbetet faktori ndërkombëtar, i vetmi që mund ta çlirojë politikën shqiptare nga kthetrat e dominimit maqedonas.
Sepse shqiptarët, fatkeqësisht, nuk po bëjnë më politikë për popullin e tyre, por për interesat e tyre: tenderë, poste dhe përfitime personale. Populli është kthyer në pronë të dy taborëve shqiptarë, që po e fundosin çdo ditë më thellë fatin e vet politik.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com