Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ka deklaruar se përdorimi i termit “Kosovë dhe Metohija” reflekton ambicie hegjemoniste të Serbisë dhe lidhet me retorikën e periudhës së Sllobodan Millosheviqit.
Ajo vuri në dukje se Kosova është një demokraci perëndimore dhe se mbështetja ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara është shumë e lartë në vend.
Gërvalla theksoi se Serbia përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për rajonin për shkak të propagandës dhe politikave të saj që, sipas saj, nxisin urrejtje dhe përgatitje për sulme të mundshme ushtarake.
Gërvalla u shpreh se në vitin 2023, Serbia tregoi gatishmërinë për përdorim force, duke dërguar grupime paramilitare të pajisura me armatim anti-tank dhe ajror dhe duke synuar me dhunë pjesë të territorit verior të Kosovës.
Ajo akuzoi drejtues të caktuar si pjesë të atyre ngjarjeve dhe e konsideroi pritjen dhe trajtimin e tyre në Beograd si një shenjë për mungesë dëshire për llogaridhënie.
“Serbia ka dëshmuar në vitin 2023 se është e gatshme për luftë. Vuçiqi mund të pengohet, jo të bindet. Mentaliteti nuk është diçka që ndryshon vetëm nëse flisni për të. Në vitin 2023 Serbia kryu një sulm ushtarak kundër Republikës së Kosovës duke dërguar grupet paramilitare të pajisura nga Serbia me pajisje anti tank ajrore, me plane për të marrë veriun e territorit tonë me dhunë. Komandanti i atij inkursioni ishte dora e djathtë e Vuçiqit për Kosovën ndërkohë, Vuçiqi e mban atë si mysafir nderi. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion në regjim, nëse nuk ka pasoja, situata do të eskalojë edhe më tutje sepse nuk kanë kut ti frikësohen. Ministri i punëve të jashtme Gjuriq e di këtë shumë mirë, ai nuk ka probleme me vrasës dhe me dhunues. Ai mund të ketë zë të butë zonja dhe zotërinj por ai u ul për kafe pas sulmit në Banjskë me Radojiçiqin.”, tha ajo.
Gërvalla komentoi gjithashtu arrestimin e ish-policit kosovar Arbnor Spahiut në Serbi, duke e cilësuar këtë rast si akt ndëshkimi dhe ndjekje ndaj njerëzve që morën pjesë në mbrojtje të Kosovës gjatë sulmeve të paramilitarëve. Ajo i bëri thirrje autoriteteve serbe ta lirojnë menjëherë Spahiun.
“Para disa muajsh, Serbia arrestoi ish-policin Kosovar Arbnor Spahiun teksa udhëtonte nëpër Serbi me familjen e tij. Akuza ishte dyshimi për përfshirje në sulmin kundër serbëve në Banjskë. Në atë kohë megjithatë Arbnor Spahiu kishte lëshuar shërbimin policor dhe jetonte jashtë por ky rast dëshmon qartë se përfshirja e Serbisë në sulmin e Banjskës dhe ndjekja për hakmarrje e atyre që mbrojtën Kosovën dhe i rezistuan Radojçiqit dhe paramilitarëve të tjerë të përfshirë në sulmin e Banjskës. Nga ky vend unë i bëj thirrje Serbisë që menjëherë ta liroj Arbnor Spahiun. Situata në Ballkan është e ndërlikuar, nuk ka të bëj me tensionet apo me ndarjet etnike ose me historinë. Ka të bëj me të tashmen dhe me kërcënimet e tanishme. Nëse e heqim regjimin e Vuçiqit, Ballkani është paqe dhe bashkëpunim. Nuk ka dallim mes Shqipërisë, Malit të zi, Maqedonisë së veriut, Kosovës apo Bosnjës, përkundrazi, ne udhëtojmë dhe ndajmë fatin e njejtë Evropian. Regjimi i Vuçiqit mundohet vazhdimisht të ndërhyjë në Kosovë, në Bosnjë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut. Është gabim që qytetarët serbë të cilët kërkojnë zgjedhje duke iu përmbajtur regjimit të Vuçiqit. Kjo nuk funksionon as pvr Kosovën, as për Bosnjën sepse e tëra ka të bëj me ideologji ekstremiste të ndjekura nga vendi më i madh ekstremist në rajon. Për një arsye e quajnë Rusi e vogël sepse Rusia është e rrënjosur thellë në Serbi”, tha ajo /kp