Urim Saliu -Tetovasot

Griselda ime këtë vit do të ketë të drejtën e votës për herë të parë. Nuk i kam thënë asgjë. Dua që ajo të zgjedhë vetë, në lirinë e saj. Por ndonjëherë pyes veten: cilën liri?
Ajo i ka parë dhunuesit e mendimit të lirë. I ka parë si e ofendojnë babain e saj militantët e partive, të nxitur e të verbër. Ajo hesht. Sepse e di të vërtetën e babait të saj që lufton për mbijetesë, me ndershmëri e dinjitet.
Griselda ime do të shkojë për herë të parë pranë kutive të votimit. Mund t’i duket si një përvojë e re, si një lloj argëtimi qytetar. Por ajo është një përgjegjësi e madhe. Sepse aty vendoset edhe e ardhmja e saj , ajo që e pret në universitet, ajo që e pret në vendin ku do të jetojë.
Ajo duhet të pyesë veten: Cilin duhet të dënoj?
A ka mënyrë më paqësore, më dinjitoze, sesa përmes votës për t’i thënë “mjaft” atyre që shkelin të drejtat, që bëjnë pazare me fatin e njerëzve?
Griselda ime duhet ta kuptojë se vota është arma më e fortë e njeriut të lirë.
Me votën e saj, ajo mund t’u thotë “jo” cenuesve të mendimit të lirë, atyre që duan ta mbytin zërin e medias, që etiketojnë e përçmojnë çdo mendim ndryshe.
Ajo mund ta kthejë dinjitetin e brezit të saj , atij brezi që nuk është rritur me frikë, por që kërkon liri, barazi dhe respekt.
Ajo duhet të votojë edhe për hakmarrje morale ndaj padrejtësive që ka parë , ndaj një sistemi që ka harruar njerëzit e zakonshëm, që i trajton si numra, si vota, si mjete për pushtet.
Duhet ta bëjë për babain e saj, që e rrit me mundime.
Duhet ta bëjë për shoqërinë e saj, për kombin e saj, për shqiptarinë tonë që meriton më shumë.
Griselda ime, me votën e saj, mund ta kthejë kohën e lirisë.
Ajo mund ta kthejë dinjitetin, shpresën dhe frymën e ndryshimit.
Sepse kjo nuk është më vetëm çështje e një partie apo e një kandidati por e një brezi të tërë, që ka vendosur të mos e lërë më askënd të shkelë mbi të drejtën për të menduar e për të qenë i lirë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com