Kapiteni i kombëtares së Kosovës dhe qendërmbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani ka përshkruar ndjenjat e tij gjatë ndeshjeve të Kosovës dhe Napolit, në të cilat nuk ishte prezent, shkaku i lëndimit.
Në një intervistë me “Cronache di Napoli”, ai ka thënë se ndjen ankth sa herë i sheh ndeshjet e Kosovës dhe Napolit nga televizori.
“Tani mund ta them – ankth i jashtëzakonshëm. Kur familjarët e mi më thoshin se ishin të emocionuar që më shihnin duke luajtur, nuk mund ta besoja, nuk mund ta kuptoja ndërsa luaja. Por tani i kuptoj ata në mënyrë të përkryer sepse vuaj kur jam në tribuna dhe akoma më keq kur i shoh shokët e mi të ekipit në televizor duke luajtur. Ekziston një emocion shumë i fortë, një frikë dhe ankth që nuk mund ta shpjegosh. Më ndodh si për Napolin ashtu edhe për ekipin tim kombëtar, Kosovën. Kur je në fushë, nuk mendon për këto gjëra sepse je i përqendruar në lojë, mendon për gjëra të tjera. Por kur nuk luan, e përjeton si një tifoz i flaktë. Janë emocione të ndryshme, por sigurisht pothuajse po aq intensive”, ka thënë ai.
Amir Rrahmani i ka munguar Kosovës e Napolit që nga ndeshja e 5 shtatorit ndaj Zvicrës, kur u lëndua në pjesën e dytë, me mbrojtësin që është afër rikthimit në fushën e blertë.
“Ndihem më mirë dhe po punoj për t’u rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur. Ende nuk e dimë se në cilën ndeshje do të jem në gjendje të kthehem, por duhet të jemi të përgatitur dhe, mbi të gjitha, të mos rrezikojmë asgjë. Kam qenë jashtë për një kohë të gjatë, kështu që duhet t’i marrim gjërat ngadalë. Dhe nuk ka rëndësi se në cilën ndeshje, por që të kthehem sa më shpejt të jetë e mundur dhe, mbi të gjitha, të jem i sigurt në fushë”, shtoi ai.
Tutje, ai tha se Napoli tashmë është “shtëpia e tij e re”.
“Napoli është shtëpia ime. Kam kaluar këtu 11 muaj dhe vetëm një muaj në shtëpi në Kosovë. Po, Napoli është një shtëpi e re”, tha Rrahmani.