Ikje nga LD-ja e Izet Mexhitit/ Dorëhiqet themeluesi në Dollnen, Mevludin Ibrahimi me mesazh të fortë!

Anëtari dhe njëri nga themeluesit e Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit në kuadër të koalicionit VLEN, Mevludin Ibrahimi, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga të gjitha funksionet politike në komunën e Dollnenit. Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi publik në rrjetet sociale, ku Ibrahimi thekson se vendimi i tij është i motivuar nga parimi dhe jo nga dobësia.
“Unë, Mevludin Ibrahimi, një nga themeluesit e LD-së në koalicionin VLEN, sot jap dorëheqje nga të gjitha funksionet politike në komunën e Dollnenit,” shkruan ai, njofton TS.
Në deklaratën e tij, Ibrahimi nënvizon se politika duhet t’u shërbejë njerëzve dhe jo interesave personale, duke lënë të kuptohet se mosmarrëveshjet apo zhgënjimet e tij lidhen me drejtimin aktual të zhvillimeve politike brenda koalicionit.
“Ky vendim nuk vjen nga dobësia, por nga parimi dhe bindja se politika duhet t’i shërbejë njerëzve, jo interesave personale. Koha do tregojë kush ka punuar për popullin e kush për vete,” thekson ndër të tjera Ibrahimi.
Kjo dorëheqje vjen në një kohë të ndjeshme politike për koalicionin VLEN, ndërsa ende nuk ka reagime zyrtare nga vetë Lëvizja Demokratike apo udhëheqësit e saj. Rrethana e dorëheqjes së Ibrahimit pritet të ngjallë diskutime dhe reagime në opinionin politik lokal në ditët në vijim./TS