Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi këtë të shtunë se kalimi kufitar në Rafah do të mbetet i mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm, duke theksuar se rihapja e tij do të varet nga dorëzimi i trupave të pengjeve të vdekur që mbahen ende nga Hamasi në Rripin e Gazës.

“Kryeministri Netanyahu ka urdhëruar që vendkalimi kufitar Rafah të mbetet i mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm”, thuhet në deklaratën e zyrës së tij.

Sipas njoftimit, rihapja e pikës kufitare do të merret në konsideratë bazuar në mënyrën se si Hamasi i përmbush detyrimet e tij për të kthyer pengjet dhe trupat e të ndjerëve, si dhe për të zbatuar kushtet e dakordësuara të armëpushimit.

Mediat e huaja raportojnë se ambasada palestineze në Kajro kishte njoftuar se kalimi kufitar Rafah midis Gazës dhe Egjiptit pritej të rihapej të hënën më 20 tetor, për të lejuar palestinezët që jetojnë në Egjipt të kthehen në territorin e Gazës.

Ndërkohë, autoritetet izraelite kishin deklaruar se pas rihapjes së mundshme të kalimit, do të lejohej vetëm lëvizja e njerëzve dhe jo kalimi i ndihmave humanitare.

Ushtria izraelite mori kontrollin e anës palestineze të pikës kufitare Rafah më 7 maj 2024, duke pretenduar se objekti ishte përdorur për qëllime terroriste dhe se përmes tij po kontrabandoheshin armë. Pas marrjes së kontrollit, të gjitha aktivitetet nëpër vendkalim u pezulluan, përfshirë edhe ato të personelit të Kombeve të Bashkuara.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com