Ministria e Jashtme e Izraelit tha se do t’i dëbojë në Evropë aktivistët propalestinezë që gjenden në anijet e flotës Global Sumud, që u ndaluan nga forcat izraelite.

“Pasagjerët e Sumudit të Hamasit [grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian] janë nisur drejt Izraelit, ku do t’iu nënshtrohen procedurave të dëbimit në Evropë. Pasagjerët janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, tha ministria në X, pasi forcat izraelite ndaluan disa anije me ndihma që ishin nisur drejt Gazës.

Forcat izraelite kanë ndalur 14 anije që po bartnin aktivistë të huaj dhe ndihmë dedikuar Gazës, por edhe 23 anije po vazhdojnë lundrimin drejt enklavës palestineze, thanë organizatorët e flotës më 2 tetor.

Në një video të publikuar më herët nga Ministria e Jashtme e Izraelit shihen shumica e aktivistëve më të njohur që po lundrojnë me këto anije, përfshirë edhe aktivisten suedeze për klimën, Greta Thunberg, të ulur në anije dhe të rrethuar nga ushtarët.

“Disa anije të flotës Sumud të Hamasit janë ndalur dhe pasagjerët e tyre po transferohen në një port të Izraelit”, tha Ministria e Jashtme në X më herët gjatë 2 tetorit. “Greta dhe miqtë e saj janë të sigurt dhe me shëndet të plotë”.

Flota Global Sumud, që po transporton ilaçe dhe ushqime për në Gazë, përbëhet nga më shumë se 40 anije civile dhe afër 500 ligjvënës, avokatë dhe aktivistë.

Flota ka publikuar disa video në Telegram me mesazhe nga persona në disa anije, disa duke mbajtur pasaportat e tyre e duke pretenduar se janë rrëmbyer e janë dërguar në Izrael kundër vullnetit të tyre dhe duke përsëritur se misioni i tyre është humanitar dhe nuk është i dhunshëm.

Kjo flotë po synon të kundërshtojë bllokadën që Izraeli ka vendosur ndaj Gazës.

Pas ndalimit të anijeve ka pasur reagime ndërkombëtare. Ministria e Jashtme e Turqisë e quajti “sulm” të Izraelit dhe “akt të terrorit” ndaj flotës, që tha se rrezikon jetën e civilëve të pafajshëm.

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, urdhëroi dëbimin e të gjithë delegacionit diplomatik të Izraelit pas ndalimit të dy kolumbianëve që ishin në flotë. Izraeli nuk ka pasur ambasador në Kolumbi që nga viti i kaluar.

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, dënoi ndalimin e flotës nga Izraeli, duke shtuar se forcat izraelite kanë ndaluar tetë shtetas të Malajzisë.

“Duke bllokuar një mision humanitar, Izraeli tregon një shpërfillje të plotë jo vetëm për të drejtat e popullit palestinez, por edhe për ndërgjegjen e botës”, tha Anwar.

Ndalja e flotës nga Izraeli ka nxitur protesta në Itali. Sindikatat italiane kanë thirrur një grevë të përgjithshme për të premten, në shenjë solidariteti me flotën që po bart ndihma.

Më herët, marina izraelite paralajmëroi flotën se po i afrohej një zone ku ka luftime dhe po shkel bllokadën, duke kërkuar që anijet të ndryshojnë drejtimin. Izraeli ka ofruar që të transferojë ndihmën e flotës për në Gazë.

Flota Sumud është përpjekja më e madhe detare për të thyer bllokadën që Izraeli ka vendosur ndaj Gazës, ku po zhvillohet luftë për pothuajse dy vjet.

Një ditë më parë, organizatorët e flotës thanë se ndalja e saj përbën “krim lufte”. Ata thanë se ushtria ka përdorur taktika agresive, përfshirë topa uji, por nuk raportuan për të lënduar.

“Disa anije u ndalën në mënyrë të paligjshme nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare”, thanë organizatorët përmes një deklarate.

Anijet ishin rreth 70 mije detare larg Gazës kur u ndalën, brenda një zone që Izraeli e patrullon vazhdimisht dhe ndal çdo anije që afrohet. Organizatorët thanë se komunikimet e tyre u penguan, përfshirë edhe transmetimin e drejtpërdrejtë nga disa anije. Sipas të dhënave për gjurmimin e flotës, deri në orët e para të së enjtes, 13 anije u ndaluan. Organizatorët thanë se flota do të vazhdojë rrugën e saj drejt Gazës.

Organizatorët kishin shpresuar që anijet të arrinin në Gazë mëngjesin e së enjtes, nëse nuk do të ishin penguar.

Izraeli ka vendosur një bllokadë detare në Gazë që kur Hamasi mori kontrollin e enklavës më 2007 dhe ka pasur disa përpjekje të mëhershme nga aktivistët që të dërgojnë ndihmë përmes detit.

Në qershor të këtij viti, Izraeli ndaloi Thunbergun dhe 11 anëtarë të ekuipazhit të një anijeje të vogël, të organizuar nga një grup propalestinez, teksa anija po i afrohej Gazës.

Izraeli nisi ofensivën ushtarake në Gazë më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 66.000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com