Kabineti i Arabisë Saudite të martën riafirmoi gatishmërinë e Mbretërisë për të bashkëpunuar me SHBA-në për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të ndaluar luftën në Gaza.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Arabia Saudite është e gatshme të ndihmojë SHBA-në në arritjen e armëpushimit në Gaza dhe të zbatojë tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi.

Veç kësaj, ajo është e gatshme “edhe të ofrojë ndihmë të mjaftueshme humanitare të pakufizuar, duke kontribuar kështu në rritjen e përpjekjeve për të arritur një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse bazuar në zgjidhjen me dy shtete, duke garantuar krijimin e shtetit palestinez në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij”, tha kabineti në një seancë të kryesuar nga Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman, sipas Agjencisë Saudite të Shtypit (SPA).

Kabineti tha gjithashtu se Arabia Saudite mirëpret propozimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ndërsa mirëpret edhe njoftimin e Trump se Bregu Perëndimor nuk do të aneksohet.

Plani i Trump, i cili u zbulua të hënën, kërkon një armëpushim, lirimin e pengjeve nga Hamasi brenda 72 orëve, çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen graduale të Izraelit nga Gaza, e ndjekur nga një autoritet kalimtar pas luftës i kryesuar nga vetë Trump.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili mbajti një konferencë për shtyp me Trump të hënën, e mbështeti planin nëse Hamasi i përmbahet atij.

Ndërkohë kanë ardhur reagime të shumta rreth planit, përfshirë nga Turqia, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe jo vetëm.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com