Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, i Hetimeve Kriminalistike dhe i Standardeve Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Njësia e Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, kundër dy inspektorëve të Njësisë për Tregti të Palejuar me Drogë dhe Armë pranë SPB Tetovë.

Kallëzimi penal është ngritur kundër personave me inicialet Xh.N., inspektor i lartë për tregti të palejuar me armë, dhe O.S., inspektor i pavarur për tregti të palejuar me drogë dhe armë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “pengim i drejtësisë” sipas nenit 368-a të Kodit Penal.

Sipas kallëzimit, i denoncuari i parë, i cili ishte përgjegjës për një rast ku dy persona ishin arrestuar për “prodhim dhe shitje të paautorizuar të drogave narkotike”, i ka mundësuar të denoncuarit të dytë – që nuk ka qenë i angazhuar në detyrë dhe është prind i njërit prej të arrestuarve – qasje të plotë në dokumentacionin zyrtar dhe kontakt direkt me të dyshuarit. Ai madje ka marrë pjesë në biseda me ta, ka dhënë udhëzime gjatë veprimeve hetimore dhe ka pasur në dispozicion telefonin e sekuestruar nga njëri prej të arrestuarve, ku është gjetur sasi e konsiderueshme droge.

Në kallëzim thuhet se përmes këtij telefoni janë fshirë dhe shkatërruar prova të rëndësishme për hetimin, duke penguar në mënyrë të drejtpërdrejtë procesin hetimor.

Departamenti i Kontrollit të Brendshëm ka paralajmëruar se përveç kallëzimit penal, ndaj dy inspektorëve do të paraqitet propozim për fillimin e procedurës disiplinore dhe do të kërkohet largimi i detyrueshëm nga puna.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com