Gostivar, 7 tetor 2025 – Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gostivar ka ngritur kallëzim penal kundër filialeve të dy subjekteve juridike të huaja, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm gjatë punimeve ndërtimore”.
Sipas njoftimit zyrtar, më 25 mars 2025, gjatë kryerjes së punimeve ndërtimore në autostradën Gostivar–Kërçovë, në një lokalitet në fshatin Banjicë, ekipet ndërtimore kanë kryer procesin e minimit, gjatë të cilit një shkëmb i madh ka rënë në hapësirat e një fabrike për prodhimin e tullave.
Si pasojë e incidentit, është dëmtuar një cisternë, pronë e fabrikës, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm për njerëzit dhe pronën përreth.
Policia ka bërë të ditur se po merren masa për procedimin e mëtejshëm të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të subjekteve të përfshira.TS