Nga Kim Mehmeti

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut gjithmonë janë dukur më pakë seç janë. Mbase pse ata kurrë nuk e kuptuan se drejtues të shtetit të bënë kushtetuta e tij e jo partia maqedonase që të përfshinë në qeveri ku të paguan si vasal që do e mbrojë nga populli shqiptar.
Dhe nëse partitë shqiptare me të vërtetë e duan të mirën e popullit të vet, atëherë ato kurrë nuk do bashkëpunonin me asnjë parti maqedonase nëse ajo nuk do pranonte që në Kushtetutë, populli i tyre të emërohet me emrin e vërtetë – shqiptar, e jo ’20 për qind’.
Si dhe që qeveria e këtij shteti të mos mund të emërohej e buxheti i tij të mos mund të miratohej ndryshe përpos sipas parimit të Badinterit – me votim të dyfishtë!
Andaj sot, kur gjatë fushatës parazgjedhore, i d[gjon shqiptarët të grinden mes veti nëse më i mirë është VLEN’i apo AKI, nuk mund të mos habitesh si është e mundur ata të mos e kenë kuptuar pse çdo parti maqedonase mbetet e tillë edhe kur brenda vetvetes i ka shqiptarët, turqit, serbët, romët… e vet, e ato shqiptare ta humbin karakterin etnik porsa të bëjnë aleanca me turqit, boshnjakët, romët…
Pra si është e mundur të mos e kenë kuptuar se kjo ndodh sepse shqiptarët ua pranuan partive maqedonase rolin e pronareve të shtetit të cilave si të tilla u lejohet ajo që i takon vetëm sunduesit – që të kenë vasalët e vet!
Andaj sot kur i dëgjon kritikët e BDI’së si asaj me të drejtë ia numërojnë dështimet nga e shkuara, nuk e kupton nëse ata me të vërtet nuk e shohin se VLENI’i sot e ka pranuar rolin që kurrë nuk mund t’i përshkruhet asnjë partie shqiptare – të jetë vasali pa legjitimitet!
Pra sot kur i dëgjon mbrojtësit e VLEN’it, nuk mund të mos ‘mahnitesh’ nga mjeshtëria e tyre t’i ikin pyetjes elementare: këndë përfaqëson sot kjo trini ‘sektash’ politike në qeverinë e VMRO-DPMNE’së?
Ndërkohë duhet thënë qartë e shqip se ai që mbron parime e jo xhepin, duhet ta pranojë se e keqe siç ishte, BDI’ja gjithmonë kishte dhe ka diçka që nuk mund t’ia mohojë askush, e që nuk e ka sot VLEN’i – legjitimitetin shqiptarë!
Siç duhet pranuar se duke qenë mospërfillës ndaj legjitimitetet të popullit në emër të të cilit ushqehet në grazhdin e shtetit, VLEN’i mbeti i vlefshëm vetëm për VMRO_DPMNE’në, me çka ia doli që për një vit, ta ‘shpërlajë’ BDI’në nga gjitha mëkatet njëzetvjeçareë
Si dhe ta bie punën deri aty që shqiptarët sot të mos votojnë për hiçgjë tjetër përpos për t’i dërguar përgjigje Mickovskit nëse pajtohen që ai, e jo ata vetë, të vendosë se cilët do jenë vasalët shqiptarë në qeveri!?
Pra në njëfarë mënyre BDI’në sot e forcon VLEN’i si dhe mbrojtësit e tij. BDI’së pra ia shpërlanë mëkatet gjithë ata që nuk e kanë kuptuar se fatin e vetë e ka në duar vetëm ai popull që edhe të mirin edhe të keqin, nuk ia përcaktojnë të tjerët.
BDI’në pra e forcuan të gjithë ata që shqiptarinë e bënë të ngjajë në profesion e jo në përkatësi etnike dhe që politikanit shqiptarë ia lejuan të jetë shqiptar vetëm përderisa nuk bëhet ministër apo funksionarë i lartë shtetëror. (Kim Mehmeti)

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com