Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij me rastin e Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase – 23 Tetor, tha se raundi i parë i zgjedhjeve ka treguar se populli ka shpresë dhe pritje që ai nuk do t’i zhgënjejë apo tradhtojë.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Bilall Kasami duhet të kuptojë se ai është gjithmonë i gatshëm për bashkim në këto zgjedhje, për të mbështetur vlera, e jo për t’u ndarë në baza etnike apo përmes prizmit të shovinizmit dhe dallimeve të ngjashme etnike.

Ai shtoi se rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve, të shprehura përmes fitoreve në komunat dhe këshillat komunalë, dëshmojnë rolin dominues dhe mbështetjen e madhe që e gëzon VMRO-DPMNE. “Kjo tregon se populli ka shpresë dhe pritje që ne nuk do t’i zhgënjejmë apo tradhtojmë,” tha Mickoski.

Sipas tij, opozita ka pësuar një “debakël historik”, por megjithatë “vazhdojnë të ngushëllohen dhe madje bëjnë llogaritje për mandate parlamentare.” Ai shtoi se, megjithëse janë “në një nokaut zgjedhor të rëndë nga populli”, opozitarët me “matematikat e tyre joreale” vetëm sa e irritojnë më shumë publikun.

“Është interesante që edhe në analizat e tyre, ata vet pranojnë se VMRO-DPMNE ka një fitore të qartë dhe të pastër. Nuk ekziston asnjë llogari sipas së cilës ata mund të fitojnë në asnjë mënyrë. Kjo tregon se ende nuk kanë mësuar asnjë mësim, çka në një farë mënyre është nënvlerësim i popullit dhe votuesve të tyre,” tha Mickoski, duke shtuar se kjo është përpjekje për të krijuar alibi për humbjen dhe për të ruajtur lidershipin në mesin e pakënaqësisë së anëtarëve të tyre.

Ndërsa LSDM-së u lëmë kohë të konsolidohen dhe të mendojnë nëse do të guxojnë të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, të cilat unë nuk i dëshiroj dhe mendoj se janë të panevojshme, sepse është kohë për rezultate dhe një ofensivë të madhe në çdo plan. Por matematika e tyre e gëzueshme dhe kjo këmbëngulje me mashtrime dhe krijimin e temave artificiale duhet të marrë përgjigjen e duhur. Prandaj, le të kenë kujdes çfarë flasin dhe çfarë dëshirojnë — mund edhe t’u bëhet realitet, tha Mickoski.

Kryeministri theksoi se zgjedhjet e fundit kanë dërguar një mesazh edhe për partnerin e tyre të koalicionit – Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).

“BDI mori një mesazh nga populli dhe shqiptarët se mjaft më me politikanizma dhe keqpërdorim të temave etnike për interesa personale dhe pasurim. Ky rezultat ndodhi sepse ata nuk e kuptuan se, ndërsa merren me shqiponja, korba dhe lepuj, populli është lodhur duke pritur për një jetë më të mirë – një jetë që qytetarët nuk e kanë marrë për 20 vjet me atë parti.
E dëgjova edhe kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ata shpresojnë në to për të parandaluar rënien që tashmë është e dukshme, por ajo tatëpjetë që kanë marrë është më e madhe se ajo që zbret nga Strazha drejt Zajasit”, theksoi Mickoski.

Kryeministri theksoi se të gjithë ata që shpresojnë të fitojnë diçka në politikë përmes temave etnocentrike duhet ta shohin dhe ta mësojnë shembullin nga rënia e BDI-së — dhe do ta kuptojnë se për çfarë flet.

“Kjo është një mësim i mirë edhe për disa politikanë të tjerë në skenën politike maqedonase, të cilët duhet të kuptojnë se, për të qenë partnerë koalicioni, duhet të jemi të gatshëm të bashkohemi dhe të mbështesim vlera, e jo të ndahemi për tema e çështje etnike përmes prizmit të shovinizmit dhe dallimeve të ngjashme etnike. Nëse nuk është kështu, atëherë unë nuk shoh asnjë dallim mes tyre dhe Aliut nga Zajasi, të cilin duan ta zëvendësojnë”, theksoi Mickoski, përcjell TS.

Kryeministri shtoi se njerëzit nuk duhet të trajtohen si kontingjente votash që mund të drejtohen nga dikush.

Kjo është e gabuar. Njerëzit duhet të trajtohen si qenie njerëzore me fate, të cilët duan një jetë më të mirë dhe që duhet të votojnë sipas bindjes së tyre. Dua të them se asnjëri prej nesh nuk i ka votat në xhep, dhe se mbështetja duhet të ndërtohet përmes bashkimit rreth vlerave, e jo përmes prizmit të përkatësisë dhe dallimeve etnike. Çdo gjë ndryshe nga kjo është e gabuar, sipas mendimit tim.

Në këtë kontekst, ai tha se disa duhet ta pranojnë se janë bërë kryetarë komunash me vullnetin dhe mbështetjen e maqedonasve — mbështetje që nuk duhet ta tradhtojnë. “Çdo hap ka veprimin dhe reagimin e vet, dhe unë gjithmonë do të veproj ashtu siç është më mirë për qytetarët dhe shtetin,” theksoi Mickoski në fjalimin e tij në Akademinë solemne në Ditën e Luftës Revolucionare Maqedonase./TS/

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com