Një zhvillim i rëndësishëm politik ka ndodhur sot në Rashçë të komunës së Sarajit. Imet Shtrajku, kryetar i Këshillit Vendor të Lëvizjes Besa dhe pjesë e koalicionit VLEN, ka njoftuar largimin e tij nga kjo strukturë politike dhe bashkëngjitjen me Aleancën Kombëtare për Integrim (AKI), njofton TS.
Shtrajku e ka cilësuar këtë vendim si rezultat i një analize të gjatë dhe të thellë politike, dhe si një hap që buron nga bindja se përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare kërkon bashkim të sinqertë dhe veprim të përbashkët.
“Vetëm përmes një angazhimi të bashkuar ndër shqiptarë mund të arrijmë dinjitet, zhvillim dhe barazi të vërtetë. AKI është forca që mishëron këtë frymë bashkimi dhe vullnet real për ndryshim,” – theksoi Shtrajku.
Ai shtoi se ky vendim është një nevojë e kohës, për të ndalur degradimin dhe nënçmimin që u bëhet shqiptarëve në skenën politike dhe për të kthyer dinjitetin kombëtar përmes strukturave të reja që ofron Aleanca Kombëtare për Integrim.
Nga AKI u vlerësua ky hap si një forcim i mëtejmë i alternativës së re politike dhe një dëshmi se gjithnjë e më shumë figura me ndikim i bashkohen vizionit të ri për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut./TS