Vota që Plagos Kujtesën Shqiptare
Kur harresa politike kthehet në vetëtradhëti kombëtare
Shkruan: Havzi Sulejmani-Xhaxhi, 27 tetor Danimarkë
Zgjedhjet lokale të 19 tetorit 2025 do të mbahen mend jo për fushatat e zhurmshme e
as për rezultatet e ngushta, por për një fakt që dhemb thellë: pati shqiptarë që dolën
e i dhanë votën një partie pilitike në aleancë me VMRO-DPMNE, e cila për më
shumë se tri dekada ka qenë simbol i mohimit, përçmimit dhe përjashtimit të
shqiptarëve nga jeta politike e këtij shteti.
Ky veprim, sado që mund të justifikohet me zhgënjime apo lodhje ndaj partive
shqiptare, nuk mund të shpjegohet pa dhimbje. Sepse vota për VMRO-në nuk është
“ndryshim”, por kthim mbrapa , drejt një kohe kur gjuha shqipe ndalohej në
institucione, kur flamuri ynë ndëshkohej, kur shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të
dorës së dytë.
Harresa që kushton lirë, por paguhet shtrenjtë
Si mund të harrohet kush e quajti shqiptarët “rrezik për shtetin”?
Kush u përpoq ta zhbënte Marrëveshjen e Ohrit, e cila është themeli i çdo të drejte
që gëzojmë sot?
Kush luftoi që çdo simbol kombëtar, çdo shkollë shqipe dhe çdo institucion me
drejtues shqiptar të mos ekzistonte fare?
Dhe sot, pas gjithë këtij rrugëtimi të mundimshëm, pas luftës, pas sakrificave, pas
gjakut të derdhur për barazi e dinjitet, disa shqiptarë zgjodhën t’i japin dorën atyre që
i kanë luftuar më shumë se kushdo tjetër.
Kjo nuk është politikë, kjo është amnezi kombëtare, harresë e rrezikshme që i hap
rrugë rikthimit të padrejtësisë.
Arroganca e Mickoskit – përbuzje ndaj shqiptarëve
Në këtë mes, nuk mund të lihet pa u përmendur arroganca dhe përbuzja e
kryeministrit Mickoski, që sapo mori pushtetin, u mundua ta nënçmojë çdo
përfaqësues shqiptar, madje edhe udhëheqësit e koalicionit VLEN, të cilët janë
zgjedhur me votë të lirë e përfaqësojnë vullnetin real të shqiptarëve.
Fjalët, sjelljet dhe qasja e tij nuk lënë asnjë dyshim: ai nuk e sheh shqiptarët si
partnerë të barabartë, por si peng politik që duhet shfrytëzuar për pushtet.
Kjo është përbuzje, jo bashkëqeverisje.
Dhe kush e pranon këtë sjellje pa reaguar, është pjesë e nënshtrimit politik që po i
përgatitet shqiptarëve.
Kundër kujtesës së dëshmorëve
Çdo votë për VMRO-në është shuplakë për kujtimin e dëshmorëve të 2001-shit.

Është përbuzje ndaj familjeve që dhanë më të dashurit për të fituar të drejta, që sot
rrezikohen nga të njëjtët që atëherë i mohonin.
A mund të ketë më shumë padrejtësi se kjo?
Të shfrytëzohet liria për t’u dhënë pushtet atyre që e mohuan vetë lirinë tonë?
VMRO-DPMNE nuk ka ndryshuar. Ajo kërkon të çfarosë subjektet politike
shqiptare, të abrogojë çdo përparim institucional të arritur që nga viti 2001, dhe
të rikthejë shqiptarët në margjina politike.
Ata që s’e kuptojnë këtë, le ta lexojnë programin e saj dhe qëndrimet e hapura që
s’mund të maskohen me fjalë “bashkëpunimi”.
Apel për dalje masovike më 2 nëntor
Tani është koha për ndërgjegjësim dhe reagim demokratik.
Shqiptarët duhet të dalin masivisht në zgjedhjet e 2 nëntorit.
Çdo votë është pengesë kundër kthimit mbrapa.
Çdo votë është mburojë ndaj përbuzjes dhe arrogancës.
Le të dalim për të mbrojtur dinjitetin kombëtar, për të ruajtur arritjet pas luftës së
2001-shit, dhe për t’u treguar atyre që na nënçmojnë se shqiptari s’është më
spektator, por zot i fatit të vet politik.
Vota e 2 nëntorit nuk është vetëm detyrë qytetare — është akt qëndrese
kombëtare.
Vota si armë ose si plagë
Vota është e shenjtë.
Ajo është arma më e fortë që një popull ka në duart e veta.
Por kur përdoret pa kujtesë kombëtare, ajo shndërrohet në plagë, plagë që e dëmton
vetë trupin shqiptar.
Nëse sot i japim votë atyre që duan të na fshijnë nga institucionet, nesër do të na
duhet ta kërkojmë përsëri atë që tashmë e kemi fituar me sakrificë.
Historia s’është aq e gjatë sa të mos na kujtojë se kush ishim para vitit 2001.
Prandaj, kushdo që votoi, le të bëjë një reflektim të sinqertë me ndërgjegjen e vet:
A e bëri për ndryshim, apo e bëri për hakmarrje të verbër që goditi kombin e vet?
Thirrje për vetëdije kombëtare
Sot më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për unitet, kujtesë dhe qëndrim.
Jo për ndarje e inate, por për një vetëdije të kthjellët që e dallon mikun nga armiku.
Kushdo që e do të ardhmen shqiptare, duhet ta ruajë kujtimin e së kaluarës — sepse
kombet që harrojnë, gjithmonë rrezikojnë të përsërisin tragjeditë e tyre.
Në fund, le të mbahet mend:
Vota për VMRO-DPMNE-në nuk ishte thjesht gabim politik.
Ishte plagë morale ndaj kujtesës kombëtare shqiptare.

Dhe plagët e tilla nuk i shëron as propaganda, as premtimet, por vetëm pendesa,
uniteti dhe ndërgjegjësimi kombëtar.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com