Kur emri i Zotit përdoret për interesa të ngushta njerëzore, drejtësia humbet dhe besimi
shndërrohet në vegël mashtrimi. Askush nuk mund të justifikojë padrejtësinë në emër të
Zotit. Ata që veprojnë kështu do të përballen me humbjen e vërtetë
Nga Afrim Tahiri, teolog
Në çdo shoqëri që humb kufirin midis të shenjtës dhe të përditshmes, korrupsioni moral fillon
gjithmonë në emër të Zotit. Kështu ka ndodhur edhe me Bashkësinë Fetare Islame në
Maqedoninë e Veriut, e cila, në vend se të ruajë pastërtinë shpirtërore dhe rolin përbashkues të
fesë, është shndërruar në një vegël të verbër të interesave politike dhe në një strukturë që e mat
suksesin me numrin e privilegjeve që siguron, jo me ndriçimin që i jep komunitetit.
Në çdo fushatë zgjedhore, thirrjet për “mosndërhyrje të BFI-së në politikë” janë bërë një refren i
lodhur, një paralajmërim që askush nuk e merr seriozisht, sepse tashmë dihet: BFI është përfshirë
thellë në lojën politike, është bërë pjesë e pazarit të votës dhe e shantazhit ideologjik. Ajo që
dikur duhej të ishte shtëpi e paqes dhe e urtësisë, sot është kthyer në agjenci elektorale, ku
myftinjtë bëjnë llogaritë e ditës, e jo të amshimit.
Në realitetin absurd të këtij degradimi, shpërfaqet një “teologji e interesit”, ku lutja është bërë
mjet për favor, ndërsa posti fetar, një trampolinë për pushtet, apo në një mundësi ideale për t’u
përfshirë në listat partiake për paga. Se për çfarë kontributi paguhen nga një subjekt politik, këtë
mund ta dinë vetëm ata. Myftinj që ndahen në kampe partiake, që blejnë heshtje politike me para
të fitrit e të zeqatit, janë simboli më i trishtë i një institucioni që e ka tradhtuar misionin e vet
hyjnor. Kur pushteti i përbotshëm hyn në mihrab, ai nuk lutet, por komandon; nuk predikon
virtytin, por imponon bindjen. Kështu, në vend të autoritetit moral, kemi burokratë të fesë; në
vend të hoxhallarëve të mençurisë, kemi administratorë të pushtetit.
A nuk është mëkat i dyfishtë të vjedhësh besimin e njerëzve, atë shpirtëror dhe atë qytetar? A
nuk është blasfemi që Zoti të përdoret si argument elektoral? Fushatat e fundit, që kanë detyruar
partitë të kërkojnë “largimin e BFI-së nga politika”, janë dëshmi se klerikët e saj kanë harruar se
feja, për sa kohë bëhet palë në luftën për pushtet, pushon së qeni dritë dhe bëhet hije. Dhe kjo
hije bie rëndë mbi gjithë trupin shoqëror të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ajo që sot ndodh brenda BFI-së nuk është vetëm degradim institucional, por edhe tragjedi
morale. Kur klerikët i frikësohen humbjes së privilegjeve më shumë sesa gjykimit hyjnor, atëherë
feja shndërrohet në treg dhe besimi në monedhë. Për këtë arsye, shumëkush pyet me të drejtë: ku
i gjejnë myftinjtë paratë që shpërndahen (flitet deri në 200 mij euro!!!) për të blerë mirëkuptim
politik? Nga fondet e fitrit e të zeqatit? Apo nga sponsorime të errëta që vijnë gjithnjë e më
shumë nëpër Shkup, për të imponuar ideologji të huaja e për të mbjellë varësi shpirtërore?
Kjo është faza më e rrezikshme e politizimit të fesë: kur ajo nuk ndihmon më komunitetin, por e
përdor atë si mburojë për interesa të padukshme. Kur nuk edukon më ndërgjegje, por blen
heshtje. Kur, në vend që të predikojë drejtësi, ajo kërkon marrëveshje me padrejtësinë. Në këtë
pikë, BFI nuk është më bashkësi fetare, është administratë politike e veshur me mantelin e
shenjtërisë.
Nëse dikur teologjia i shërbente shpëtimit të njeriut, sot, në këtë version të shtrembëruar, ajo i
shërben shpëtimit të funksionarëve. Nëse dikur xhamia ishte vend bashkimi, sot ajo rrezikon të
bëhet qendër ndarjeje, ku besimi matet me besnikërinë partiake. Dhe kjo është më shumë se rënie
morale, është shkatërrim i besimit si kategori kulturore dhe shpirtërore.
Feja, për t’u shpëtuar, duhet ta rifitojë heshtjen e saj të shenjtë, atë heshtje që lind nga
ndërgjegjja, jo nga frika. Vetëm kur të ndalojnë zërat e tregtisë politike brenda mihrabit, do të
mund të dëgjohet përsëri zëri i pastër i fesë. Deri atëherë, BFI do të mbetet peng i një faji të
madh: se në emër të fesë, po e shkel fenë; në emër të Zotit, po e përdor Zotin. E Kur’ani
Madhështor na porositë: “Mos përdorni emrin e Allahut për betime të gabuara, duke
mashtruar njerëzit dhe duke i shmangur nga rruga e drejtë. Me të vërtetë, ata që punojnë
kështu do të përfundojnë në humbje të madhe.” (El-Bekare, 224)
(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI)