Ekipi menaxhues i M-NAV në kumtesën e sotme për opinionin reagoi rreth njoftimeve për grevë dhe “mbylljen e qiellit” më 20 dhe 24 tetor.
“M-NAV si institucion është pjesë e infrastrukturës kritike e cila drejtpërdrejtë i mbron jetën dhe sigurinë e pasagjerëve, ekuipazhit dhe komunikacionit ajror që mbërrin, niset dhe fluturon mbi Republikën e Maqedonisë. Puna e kontrollorit të fluturimit nuk guxon dhe nuk mund të ndalet nën kurrfarë rrethana për shkak të rrezikut të sigurisë së të gjithë qytetarëve”, citohet në kumtesë.
Menaxhmenti njeh të drejtën e organizatave sindikaliste të organizojnë grevë si pjesë integrale e luftës për përmirësimin e të drejtave të punës së punonjësve, por theksojnë se çdo grevë në institucion i cili siguron kushte të sigurisë duhet të organizohet në një mënyrë të tillë që një numër i mjaftueshëm kontrollorësh të fluturimeve të angazhohen (dhe gjithsesi të punësuarit tjerë në vende tjera të punës) që të mbahet menaxhimi i sigurt me komunikacionin ajror.
“Asnjë aktivitet i sindikatave ose i ndonjë subjekti tjetër nuk duhet të çojë në rrezikimin e jetës ose infrastrukturës”, thekson Ekipi i Menaxhmentit të M-NAV.
M-NAV kundërshton fuqimisht “njoftimet sensacionaliste dhe të pasakta që përhapen nga disa anëtarë të udhëheqjes së sindikatës profesionale”. “Ne përsërisim se përhapja e dezinformatave dhe titujve të panikut është e papërgjegjshme dhe mund të krijojë frikë të pajustifikuar tek publiku dhe paqëndrueshmëri në funksionimin e shërbimeve të aviacionit”, thuhet në kumtesë.
Ekipi menaxhues i M-NAV, siç theksohet në kumtesë, mbetet i hapur për dialog social konstruktiv me përfaqësuesit e sindikatës dhe është i gatshëm të marrë në konsideratë kërkesa realiste dhe objektive për çështje të personelit dhe organizimit. Ata shtojnë se të gjitha kërkesat duhet të adresohen përmes procedurave zyrtare në mënyrë që të gjendet një zgjidhje që nuk do të rrezikojë sigurinë e fluturimeve.
“M-NAV do të marrë të gjitha masat e nevojshme për funksionimin e qetë dhe të sigurt të trafikut ajror dhe nuk do të lejojë asnjë aktivitet që mund të rrezikojë pasagjerët ose funksionimin e trafikut ajror”, thonë nga Menaxhmenti i M-NAV dhe u bëjnë thirrje të gjitha palëve të interesuara, mediave dhe publikut të përmbahen nga përhapja e informatave të pakonfirmuar dhe të nxjerrin në pah faktet.