Maqedonia e Veriut dhe Mbretëria e Bashkuar me marrëveshje për qarkullim të rregullt ajror mes dy vendeve

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe Kier Meter, ministri i Aviacionit, Çështjeve Detare dhe Dekarbonizimit, nënshkruan Marrëveshjen për qarkullim të rregullt ajror midis Maqedonisë së veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar në Londër.
Marrëveshja, siç njoftoi sot Ministria e Transportit, hap mundësinë e vendosjes së fluturimeve të reja direkte midis dy vendeve, ndërsa me këtë të rritet edhe numri i turistëve nga Mbretëria e Bashkuar.
“Kjo Marrëveshje u nënshkrua me iniciativën e Mbretërisë së Bashkuar dhe përfaqëson një kornizë të re ligjore që rregullon marrëdhëniet në fushën e qarkullimit të rregullt ajror midis dy vendeve”, thuhet në komunikatë.
Përmes Marrëveshjes, siç theksuan dy ministrat, mundësohet liri dhe fleksibilitet më i madh për kompanitë e aviacionit, punë efikase dhe shërbime të reja, ndërsa për udhëtarët mundësohen lidhje më të mira, destinacione të reja dhe çmime konkurruese.
Zëvendëskryeministri Nikolloski, pas nënshkrimit theksoi se Maqedonia e Veriut ka përjetuar rritje të jashtëzakonshme të trafikut ajror vitin e kaluar dhe është një vend serioz konkurrues në rajon, dhe kjo kryesisht për shkak të zbatimit të politikave të Qeverisë për zhvillimin e trafikut ajror civil. Ai shtoi gjithashtu se aeroportet vendase kanë potencial të madh për t’u shërbyer linjave ajrore dhe pasagjerëve të rinj.
Marrëveshja, siç njoftojnë nga Ministria e Transportit, rregullon edhe transportin intermodal, i cili është një pjesë veçanërisht e rëndësishme e transportit të mallrave, dhe gjithashtu arrin një nivel të lartë mbrojtjeje dhe sigurie për linjat ajrore dhe pasagjerët e vendosur përmes standardeve të IKAO-s.