Më datë 23 tetor 2025, rreth orës 19:50, një mashkull 57-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka paraqitur kallëzim në SPB Tetovë, duke raportuar se është mashtruar financiarisht nga një person me inicialet Xh.D. nga Turqia, për shumën prej 18.000 euro.
Sipas kallëzimit, Xh.D., pronar i një firme për montimin e ashensorëve në objekte banimi dhe me qëndrim të regjistruar në Maqedoni të Veriut, kishte vendosur në shtator 2025 të bashkëpunojë me qytetarin nga Tetova për import të peletit për ngrohje nga Turqia.
Denoncuesi ka deklaruar se i ka dorëzuar në tre raste shumën totale prej 18 mijë euro, me pretekstin e një porosie të përbashkët për mallin, por më vonë ka zbuluar se Xh.D. e ka shitur menjëherë mallin diku tjetër dhe është bërë i pakontaktueshëm në numrat e tij të telefonit.
Policia ka njoftuar se janë ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe për gjetjen e personit të dyshuar.
Ky është një tjetër rast që tregon nevojën për kujdes gjatë bashkëpunimeve tregtare ndërkombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për transferta parash pa garanci kontraktuale.TS