Qeveria kubaneze njoftoi se kishte ekstraduar një shtetas kinez, Zhi Dong Zhang, drejt autoriteteve në Meksikë. Vetëm disa orë më vonë, zyrtarët meksikanë konfirmuan se ai ishte ekstraduar më tej drejt Shteteve të Bashkuara, ku përballet me akuza për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, raporton BBC.
Ky zhvillim shënon fundin e një arratisjeje spektakolare disa mujore të një prej personave më të kërkuar në botë.
Zhi Dong Zhang, i njohur me disa nofka si Vëllai Wang, Pancho dhe HeHe, akuzohet nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së për organizimin e një rrjeti të gjerë ndërkombëtar të trafikut të fentanilit dhe pastrimit të parave që shtrihej në disa shtete, kryesisht në Kinë, Meksikë dhe SHBA.
Sipas prokurorëve amerikanë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Meksikës, Zhang ka pastruar miliona dollarë të ardhura nga droga për Kartelin e Sinaloas dhe Kartelin e Gjeneratës së Re të Jalispos duke shërbyer si një hallkë kyçe në zinxhirin global të trafikut të substancave narkotike.
Nëse shpallet fajtor, ai mund të përfundojë në një burg të sigurisë së lartë në SHBA, ashtu si “El Chapo” Guzmán apo Ismael “El Mayo” Zambada.
Historia e arrestimit të tij në fund është po aq e jashtëzakonshme sa edhe aktiviteti i tij kriminal. Zhang kishte qenë nën arrest shtëpiak në Mexico City, pas një operacioni të përbashkët të forcave të sigurisë në tetor të vitit 2024. Fillimisht ai ishte mbajtur në një burg të sigurisë së lartë, por më pas një gjyqtar vendosi ta kalojë në arrest shtëpiak, vendim që presidentja meksikane Claudia Sheinbaum e quajti “skandaloz”.
Hajdutët përdorën pajisjen gjermane për grabitjen në Luvër, kompania e reklamon në Instagram
Mediat vendase raportojnë se ai u arratis përmes një vrime në mur, më pas u largua me një avion privat drejt Kubës, ku tentoi të siguronte hyrje në Rusi, përpjekje që përfundoi pa sukses.
Kapja e tij në Havana u konsiderua si një goditje e rëndësishme kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, por njëkohësisht nxori në pah dobësitë e sistemit të drejtësisë meksikane.
Zhi Dong Zhang, tashmë në duart e autoriteteve amerikane, pritet të përballet me një proces gjyqësor të gjatë dhe të bujshëm në SHBA, i ngjashëm me rastet e figurave më të njohura të botës së krimit.