Kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për kryetar të Komunës së Çairit,
Izet Mexhiti, gjatë konferencës së sotme për media, ka prezantuar masat
konkrete për përmirësimin e kushteve në arsimin fillor, me theks të
veçantë tek barazia sociale, siguria dhe mbështetja për familjet. Ai me
këtë rast ka theksuar se qeverisja e tij do të garantojë mundësi të
barabarta për çdo fëmijë dhe do të ndërtojë një Çair të dinjitetit,
kujdesit dhe solidaritetit.
Më posht keni fjalimin integral të Izet Mexhitit:
Të nderuar qytetarë, të respektuar prindër, mësues dhe nxënës, media,
Në Çair nuk ka dallime, ka mundësi për të gjithë.
Kjo është filozofia jonë e qeverisjes, vizioni ynë për një komunë që
garanton barazi, dinjitet dhe mbështetje të barabartë për çdo familje.
Prandaj, në programin tonë për arsimin, kemi paraparë masa të qarta për
të lehtësuar barrën e familjeve dhe për të siguruar kushte të barabarta
për çdo fëmijë.
Në të gjitha shkollat fillore të komunës sonë, nxënësit do të kenë
uniforma, të financuara plotësisht nga buxheti i Komunës së Çairit.
Asnjë familje nuk do të ketë barrë shtesë. Me këtë synojmë të krijojmë
mundësi të barabarta, dhe forcon ndjenjën e përkatësisë mes fëmijëve
tanë.
Po ashtu, Komuna e Çairit do të mbulojë shujtat ditore për të gjithë
nxënësit që vijnë nga familjet që përfitojnë mbështetje përmes ndihmës
sociale. Askush nuk do të mbetet pas. Çdo fëmijë do të ketë kushte të
denja për të mësuar, për t’u ushqyer dhe për t’u rritur me dinjitet.
Në të njëjtën kohë, do të forcojmë sigurinë nëpër shkolla, me masa të
reja fizike dhe teknologjike, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet
arsimore dhe prindërit. Sepse çdo prind duhet të jetë i qetë që fëmija i
tij është i sigurt në shkollë.
Ky është Çairi që po ndërtojmë. Çairi i barazisë, kujdesit dhe
solidaritetit. Një komunë që punon, ndan dhe kujdeset për të gjithë.
Një komunë që e kthen fjalën në vepra dhe e tregon përditë, se politika
e mirë është ajo që përmirëson jetën e qytetarëve.
Fëmijët tanë janë e ardhmja jonë. Dhe kur investojmë tek ata, investojmë
në të ardhmen e Çairit.