Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një
prononcim për televizionin A2 CNN ka vlerësuar procesin zgjedhor në Çair
si shembull të demokracisë dhe maturisë politike.
Në pyetjen për gjestin e kundërkandidatit të tij, Bujar Osmani që iu
uroi fitoren Mexhiti e përshëndeti këtë gjest si reflektim i vlerave
demokratike.
“Po, do shfrytëzoj rastin ta përshëndes, ishte një gjest i mirë nga
kundërkandidati që e pranoi fitoren tonë, vlerësoi procesin zgjedhor që
ka qenë tejet demokratik, pa incidente, pa presion. Pra, kemi dhënë
leksion,” u shpreh Mexhiti.
Ai theksoi se ndonëse shumëkush kishte pritur tensione gjatë ditës së
votimit, Çairi dëshmoi të kundërtën.
“Të gjithë kanë pritur që në Çair të ndodhin incidente, përkundrazi,
Çairi ka qenë në nivel të detyrës dhe ka dhënë leksion për demokraci,
për vlera demokratike,” shtoi ai.